Vijon jehona ndërkombëtare/ The Guardian: Resorti i Kushnerit ndez revoltën në Shqipëri, mijëra protestojnë kundër projektit

Jehona ndërkombëtare e protestave kundër ndërtimeve në Sazan dhe Zvërnec vijon. Këtë të enjte, prestigjiozja britanike The Guardian raportoi se mijëra qytetarë dhe aktivistë mjedisorë kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke kërkuar ndalimin e punimeve dhe largimin e makinerive nga zona e mbrojtur. Shkrimi thekson se zona ku planifikohet investimi konsiderohet prej vitesh si një nga ekosistemet më të ndjeshme dhe më të rëndësishme të Mesdheut.

“Nga fillimi deri në fund ka munguar transparenca,” deklaroi Aleksandër Trajçe, drejtor ekzekutiv i organizatës mjedisore PPNEA. “Nuk ka pasur konsultime publike dhe as dokumentacion publik mbi lejet e dhëna. Nuk kemi parë kurrë më parë një ndërhyrje të tillë në një zonë të mbrojtur në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë vetëm për një precedent të rrezikshëm. Kemi të bëjmë me mungesë të plotë transparence dhe respekti për procedurat ligjore. Qëndrimi ynë është i qartë: nëse largohen buldozerët, hiqet gardhi dhe zona rikthehet në gjendjen e mëparshme, atëherë mund të ulemi për të diskutuar.”

Kryeministri Edi Rama, i cili e ka mbrojtur projektin si një hap të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë, propozoi një takim me protestuesit në përpjekje për të ulur tensionet. Megjithatë, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se investimi nuk do të ndalet.

“Nuk ka asnjë mundësi që ky investim të ndalojë për sa kohë jam unë këtu,” deklaroi Rama.

PPNEA, organizata më e vjetër mjedisore në vend, ka paralajmëruar vazhdimisht se projekti rrezikon një zonë me biodiversitet të jashtëzakonshëm dhe vlera të rëndësishme natyrore e kulturore.

Më herët gjatë këtij viti, Ivanka Trump vizitoi Shqipërinë së bashku me një grup arkitektësh për të parë nga afër zonën ku kompania Affinity Partners, në pronësi të bashkëshortit të saj Jared Kushner, planifikon të zhvillojë resortin. Projekti përfshin jo vetëm ishullin e Sazanit, por edhe habitatet bregdetare dhe lagunore të Parkut Kombëtar Detar përreth tij. Sipas organizatës BirdLife International, zona strehon mbi 200 lloje shpendësh, mes tyre specie të rrezikuara si pelikani kaçurrel dhe flamingot, ndërsa ujërat përreth janë një nga habitatet e fundit të fokës mesdhetare. Në planet e zhvillimit përfshihen gjithashtu zona të mbrojtura në veri të Zvërnecit, mes Lagunës së Nartës dhe detit.
Sipas Trajçes, reagimi publik u ashpërsua pasi në zonë u vendosën gardhe me tela me gjemba, u angazhuan kompani private sigurie dhe makineritë e rënda nisën të hapnin rrugë duke dëmtuar dunat ranore dhe pyjet me pisha mesdhetare.

“Në atë moment banorët u revoltuan. Njerëzit që kanë toka ose punojnë aty u përballën me kufizime për të hyrë në pronat e tyre. Kjo nuk është më vetëm një çështje mjedisore. Është kthyer në një çështje qytetare,” u shpreh ai.

Këtë javë, SPAK njoftoi nisjen e verifikimeve lidhur me ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2024 për zonat e mbrojtura. Nga ana tjetër, kompania që po zhvillon projektin këmbëngul se investimi do të realizohet duke respektuar mjedisin dhe interesat e komunitetit lokal. Edhe kryeministri Rama ka mohuar vazhdimisht se projekti do të dëmtojë vijën bregdetare të vendit.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top