Kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, i cili do të mbahet të premten në Sheshin Skënderbeu.
Sipas Abdixhikut, ky aktivitet do të shërbejë si një moment bashkimi dhe shprese për qytetarët, duke përcjellë një mesazh të qartë për ndryshim në Kosovë.
Ai ka theksuar se të premten Prishtina do të jetë vendtakimi i të gjithë mbështetësve në përmbyllje të fushatës.
Në mesazhin e tij, ai ka bërë thirrje që qytetarët të marrin pjesë së bashku me familjarët, miqtë dhe të afërmit, duke nënvizuar se fushata do të mbyllet në të njëjtën frymë me të cilën ka nisur: me unitet dhe pjesëmarrje të përbashkët.
Abdixhiku ka shprehur bindjen se vendi është i gatshëm për një kapitull të ri dhe se tubimi i së premtes do të pasqyrojë energjinë dhe mbështetjen e qytetarëve për ndryshim.