Kombëtarja shqiptare ka nisur sot grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut. Gjërat komplikohen menjëherë për teknikun Rolando Maran, që bëhet gati për debutimin në pankinën kuqezi, i detyruar të bëjë pa njërin nga mbrojtësit më të rëndësishëm kuqezi. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Ardian Ismajli është larguar nga grumbullimi pas vlerësimit të gjendjes së tij fizike nga stafi mjekësor i Kombëtares.
Ismajli iu bashkua fillimisht ekipit kombëtar, por duke qenë se vinte pas një problemi muskulor që e kishte mbajtur larg fushave për disa javë dhe ishte rikthyer në lojë vetëm në ndeshjen e fundit të sezonit, ai u paraqit në kushte fizike jo optimale dhe nuk ishte plotësisht i gatshëm për dy ndeshjet miqësore të planifikuara.
Pas konsultimeve ndërmjet stafit teknik dhe lojtarit, si edhe një takimi me trajnerin Rolando Maran, u vendos që Ismajli të rikthehej pranë klubit të tij për të vijuar programin e rikuperimit dhe për t’u kthyer sa më shpejt në formën e tij më të mirë.