Këtë të martë, më 2 qershor, nis zyrtarisht Matura Shtetërore 2026 me zhvillimin e provimit të parë, atë të gjuhës së huaj. Mijëra maturantë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen testimit të njohurive si pjesë e procesit të përfundimit të arsimit të mesëm.
Sipas kalendarit të përcaktuar, nxënësit duhet të paraqiten në ambientet e shkollave në orën 08:30, ndërsa provimi do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 12:30.
Ministria e Arsimit ka publikuar udhëzimet për zhvillimin e provimeve, duke theksuar se gjatë testimit është rreptësisht e ndaluar mbajtja e telefonave celularë, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje tjetër që mund të lidhet me inteligjencën artificiale ose komunikimin elektronik.
Po ashtu, nuk lejohen kopjet, komunikimi mes nxënësve dhe përdorimi i materialeve të paautorizuara, ndërsa shkelja e rregullave mund të sjellë përjashtimin nga provimi.
Autoritetet rikujtojnë se maturantët duhet të kenë me vete një dokument identifikimi të vlefshëm, si letërnjoftim ose pasaportë, si dhe mjetet e nevojshme shkollore për zhvillimin e testit.