Bisedimet vazhdojnë/ Trump flet me Netanyahun: Nuk do të ketë dislokim trupash në Bejrut

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se zhvilloi një bisedë telefonike shumë produktive me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë së cilës, sipas tij, u ra dakord që të mos ketë dislokim trupash në Bejrut.

Ai gjithashtu theksoi se bisedimet me Iranin po vazhdojnë me “ritme të shpejta”.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump pretendoi se nuk do të ketë lëvizje trupash drejt kryeqytetit të Libanit, ndërsa forcat që ndodheshin tashmë rrugës kanë marrë urdhër të tërhiqen.

Sipas tij, kjo ishte një nga kushtet që Irani kishte vendosur për vazhdimin e kontakteve me SHBA-në, me synimin e arritjes së një marrëveshjeje të mundshme për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.

Njëkohësisht, Trump bëri të ditur se ka pasur komunikim, përmes përfaqësuesve të nivelit të lartë, edhe me Hezbollahun, duke e cilësuar bisedën si pozitive. Sipas tij, organizata ka rënë dakord të ndalojë çdo formë sulmi me armë.

“Izraeli nuk do t’i sulmojë ata dhe ata nuk do ta sulmojnë Izraelin”, deklaroi presidenti amerikan, duke e përshkruar zhvillimin si një marrëveshje për uljen reciproke të tensioneve mes dy palëve.

“Pata një bisedë telefonike shumë produktive me kryeministrin e Izraelit, Bibi Netanyahu. Nuk do të ketë trupa që do të shkojnë në Bejrut dhe ato që ishin në lëvizje janë tërhequr tashmë. Gjithashtu, përmes përfaqësuesve të lartë, zhvillova një bisedë shumë të mirë me Hezbollahun dhe ata ranë dakord që të ndalen të gjitha shkëmbimet e zjarrit – Izraeli nuk do t’i sulmojë ata dhe ata nuk do të sulmojnë Izraelin”, shkroi fillimisht Trump.

Pak më vonë ai shtoi: “Bisedimet me Republikën Islamike të Iranit po vazhdojnë me ritme të shpejta. Ju faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje.”

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, asnjë president amerikan nuk ka komunikuar më parë me Hezbollahun, qoftë drejtpërdrejt apo përmes ndërmjetësve, pasi organizata konsiderohet “terroriste” nga Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar libanez i tha agjencisë Reuters se Hezbollahu ka informuar SHBA-në, përmes kryetarit të Parlamentit të Libanit, Nabih Berri, se është i gatshëm të ndalojë sulmet ndaj veriut të Izraelit, me kusht që Izraeli të mos bombardojë Bejrutin dhe periferitë e tij.

Më herët, autoritetet iraniane bënë të ditur se po ndërpresin shkëmbimin e mesazheve me SHBA-në në kuadër të kontakteve për arritjen e një marrëveshjeje.

Pak më vonë, televizioni shtetëror iranian raportoi se ekziston një mundësi e lartë që armëpushimi mes Iranit dhe SHBA-së të marrë fund nëse nuk ndalen sulmet izraelite në Liban. Lidhur me këtë zhvillim, presidenti Trump deklaroi fillimisht se nuk kishte dijeni.

“Të them të drejtën, mendoj se po flasim shumë. Besoj se heshtja do të ishte shumë e dobishme dhe kjo mund të zgjasë për një periudhë të gjatë. Kjo nuk do të thotë se do të fillojmë të hedhim bomba kudo. Thjesht do të heshtim. Do të ruajmë bllokadën. Mendoj se mund të pres sa të duan ata. Janë ata që po humbasin një pasuri”, tha Trump në një intervistë për NBC News.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top