“Mendoj se çdo trajner ka idetë e veta përsa i përket pozicionimit të lojtarëve në fushë, nuk e di nëse do të jem më përpara apo në të njëjtin pozicion, e rëndësishme është që sa herë të jem në fushë me Kombëtaren të jap maksimumin dhe më të mirën për ekipin”. Julian Shehu, protagonist i një sezoni shumë të mirë me Kombëtaren dhe me Widzew Lodz, është gati të tregojë veten edhe me teknikun e ri Rolando Maran. Mesfushori tani do të ketë një rivalitet të fortë, duke qenë se edhe Luis Hasa i është shtuar organikës kuqezi, por kjo nuk e shqetëson.
Madje, Shehu e ka bërë të qartë se është gati të sfidojë këdo për vendin në formacion: “Çdo lojtar që vjen në ekipin Kombëtar e meriton të jetë përderisa është këtu, çdo pozicion dhe çdo vend është i hapur për gjithsecilin dhe do të luajë ai që meriton të luajë”, tha Shehu në konferencën e zakonshme për shtyp.
Duke u ndalur pastaj te Maran, mesfushori kuqezi ka pranuar se pret ndryshime, duke u vënë në dispozicion të teknikut italian: “Çdo trajner dëshiron ta krijojë ekipin në bazë të ideve që ka, mund të ketë ndryshime dhe është normale që të ketë përderisa trajneri është i ri. Shpresoj që këto dy ndeshje të jenë shumë të rëndësishme për ne, përsa i përket vazhdimësisë që do kemi në ndeshjet e Ligës së Kombeve në shtator, do të bëjmë maksimumin dhe të ndërtojmë identitetin tonë me trajnerin e ri”.