Egnatia është sërish në majën e futbollit shqiptar. Skuadra e Nevil Dedes ka fituar titullin kampion të sezonit 2025/26, duke kurorëzuar një tjetër sezon të jashtëzakonshëm me trofeun më të rëndësishëm në vend. Fitorja 2-0 ndaj Dinamos në “Elbasan Arena” i dha fund çdo llogarie dhe i lejoi rrogozhinasit të festonin titullin e tretë radhazi dhe të tretin në historinë e klubit.
Ishte një garë që mbeti e hapur deri në sekondat e fundit të kampionatit, me Elbasanin që shpresonte deri në fund te një hap fals i Egnatias. Por skuadra e Dedes nuk lejoi surpriza dhe e mori vetë në dorë fatin e saj.
Alessandro Albanese, njeriu i finales
Në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, Egnatia gjeti heroin e saj. Alessandro Albanese mori përsipër përgjegjësinë dhe vendosi praktikisht fatin e titullit brenda pjesës së parë.
Sulmuesi belg hapi sfidën nga pika e bardhë në minutën e 29-të, duke i dhënë qetësi skuadrës së tij në një moment kur presioni ishte maksimal. Vetëm dhjetë minuta më vonë ai goditi sërish, duke realizuar golin e dytë që vulosi suksesin e rrogozhinasve.
Me avantazhin e dyfishtë, Egnatia administroi ndeshjen me maturi, ndërsa Dinamo, e kufizuar edhe nga mungesat e shumta, nuk arriti të rikthehej në garë.
Dinamo nuk ndryshon fatin e kampionatit
Rikthimi i Ilir Dajës në pankinë pas pezullimit kishte krijuar pritshmëri për një Dinamo më konkurruese, por realiteti në fushë ishte ndryshe. Skuadra kryeqytetase u shfaq e kushtëzuar nga mungesat dhe nuk pati forcën për të ndalur një Egnatia që e kishte përgatitur këtë sfidë si një finale të vërtetë.
Nevil Dede hodhi në fushë formacionin më të mirë të mundshëm, i vetëdijshëm se një fitore do t’i jepte skuadrës trofeun pa pasur nevojë të shihte rezultatin e ndeshjes tjetër.
Elbasani bën detyrën, por jo mrekullinë
Në anën tjetër, Elbasani bëri gjithçka që ishte në dorën e tij. Verdheblutë përmbysën Vllazninë me rezultatin 2-1 dhe morën tre pikët që i mbanin në garën për titull deri në fund.
Megjithatë, suksesi ndaj shkodranëve rezultoi i pamjaftueshëm. Skuadra e Elbasanit kishte nevojë jo vetëm për fitoren e saj, por edhe për një ndalesë të Egnatias, diçka që nuk ndodhi.
Pas golit të Balajt në fillimin e pjesës së dytë dukej se Vllaznia mund të prishte planet e vendasve, por reagimi ishte i menjëhershëm. Lajthia rivendosi ekuilibrin vetëm tre minuta më vonë, ndërsa Ibrahim Abas realizoi golin e përmbysjes që mbajti gjallë shpresat e verdhebluve.
Një titull i vendosur nga ndeshjet direkte
Në fund, diferenca mes dy skuadrave nuk u bë nga pikët. Egnatia dhe Elbasani e mbyllën kampionatin në kuotë të barabartë, por rregullorja favorizoi rrogozhinasit falë rezultateve në përballjet direkte.Të dy ekipet kishin nga një fitore ndaj njëra-tjetrës gjatë sezonit, por diferenca e golave rezultoi vendimtare. Fitorja e thellë 4-0 e Egnatias në “Air Albania” kundër Elbasanit, në ndeshjen e parë të Final 4, u shndërrua në rezultatin që praktikisht vulosi kampionatin.
Dominimi i Egnatias vazhdon
Ky titull konfirmon se Egnatia nuk është më një surprizë e futbollit shqiptar, por skuadra dominuese e viteve të fundit. Tre kampionate radhazi të fituara janë dëshmi e vazhdimësisë sportive, organizimit të klubit dhe aftësisë për të ruajtur konkurrueshmërinë edhe kur rivalët ndryshojnë.Për Elbasanin mbetet krenaria e një sezoni të jashtëzakonshëm dhe zhgënjimi i një titulli të humbur për detaje. Për Egnatian, ndërkohë, është koha e festës. Rrogozhinasit janë sërish në fronin e futbollit shqiptar dhe tashmë shohin drejt sfidës së radhës në arenën europiane.