Kryeministri Edi Rama pritet të dalë ditën e sotme në orën 10:00 për të folur në lidhje me projektin për ndërtimin e resortit turistik në Zvërnec.
“E kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit.
Ndërkohë e përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës. Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cënon besimin e publikut, është e duhura”, shkruan Rama.
Reagimi i Ramës vjen në kulmin e një operacioni të dukshëm për të kontrolluar dëmin publik të shkaktuar nga pamjet e rënda, ku rojet private godasin dhe marrin zvarrë një protestues, ndërsa policia e pranishme në vendngjarje rri pasive.