Koncerti i këngëtarit të njohur ndërkombëtar, Kanye West, në Tiranë nuk po shihet më vetëm si një ngjarje muzikore, por si prova më e madhe që ka kaluar ndonjëherë industria shqiptare e eventeve.
Me një stadium të përkohshëm për deri në 60 mijë persona, bileta që arrijnë deri në 339 euro dhe një artist që mbetet një nga figurat më kontroverse të industrisë globale, Shqipëria po hyn në një bast ekonomik, logjistik dhe reputacioni, që deri pak vite më parë do të dukej i pamundur.
Më pak se dy muaj para koncertit të planifikuar më 11 korrik, organizatorët thonë se deri më 21 maj janë shitur rreth 25 mijë bileta, ose 42% e vendeve të disponueshme. Sipas tyre, deri më 29 maj shitjet kanë vijuar me një ritëm normal, ndërsa pritshmëritë janë që kërkesa të rritet në ditët në vijim.
Organizatorët kanë deklaruar zyrtarisht se duhet të shiten të paktën 40 mijë bileta, që koncerti të jetë fizibël (i leverdishëm nga ana ekonomike), ose gati 70% e kapacitetit.
Megjithatë, të dhënat e aksesueshme në kohë reale në platformën e shitjes së biletave tregojnë se deri më 29 maj ende nuk është shitur as gjysma e kapacitetit të planifikuar për eventin, çka sugjeron se organizatorët kanë ende një rrugë të konsiderueshme për të përmbushur objektivat e tyre të frekuentimit.
Objektivi prej 60 mijë biletash konsiderohet i fortë për tregun shqiptar, por njëkohësisht tregon edhe sfidën reale të projektit: a ekziston vërtet në Shqipëri dhe rajon një treg që mund të mbajë financiarisht evente të kësaj shkalle?
Pyetja bëhet edhe më interesante në një moment kur disa vende europiane kanë refuzuar ose anuluar koncertet e Kanye West pas polemikave dhe deklaratave të tij publike. Ndërsa vende të Europës po distancohen, Tirana po tenton ta kthejë ardhjen e tij në simbol të ambicies për të hyrë në hartën e eventeve globale.
Ky koncert po teston disa gjëra njëkohësisht, fuqinë blerëse të publikut shqiptar, gatishmërinë e infrastrukturës, kapacitetin organizativ të industrisë lokale, tërheqjen e turistëve dhe aftësinë e Shqipërisë për të menaxhuar një event me standarde ndërkombëtare.
Nëse projekti funksionon, ai mund të hapë derën për një treg të ri koncertesh dhe eventesh masive në vend. Nëse dështon, do të shërbejë si shembulli më i qartë se ambicia e ka kaluar kapacitetin real të tregut shqiptar.
Ndërkohë, koncerti i Kanye West në Stamboll, i mbajtur më 30 maj në stadiumin olimpik Atatürk, po shfaqet si një tregues i rëndësishëm për interesin e publikut ndaj turit europian të artistit. Organizatorët turq kanë deklaruar për median Turkiye Today se deri në fund të majit janë shitur rreth 75 mijë bileta për eventin, ndërsa synojnë një pjesëmarrje totale prej mbi 110 mijë personash.
Në Shqipëri, organizatorët e koncertit të 11 korrikut thonë se koncerti i Stambollit pritet të sjellë një shtysë të re promovuese për turin dhe të ndikojë pozitivisht në shitjen e biletave gjatë javëve në vijim.
Anulimi së fundmi i koncertit të Kanye West në Itali, (për shkak të frikës së protestive) dhe që pritej të mbahej një javë pas atij të Shqipërisë, Rcf Arena në Reggio Emilia, është një tjetër element që mund të shtojë shitjen e biletave në javët në vijim.

Sa mund t’i kushtojë Shqipërisë?
Deri tani nuk ka një shifër zyrtare mbi koston reale të eventit, por është konfirmuar që financimi i stadiumit “Eagle”, në zonën e Kasharit, do të bëhet nga kompania organizatore “StreetLife”.
Sa i përket rolit të shtetit në organizim, Ministri i Turizmit, i Kulturës dhe i Sportit, Blendi Gonxhja, në një intervistë për “Monitor”, nuk jep detaje nëse qeveria ka parashikuar bashkëfinancim apo forma të tjera të të qenët e përfshirë në organizim, por ai e cilësoi organizimin e eventeve të mëdha ndërkombëtare si pjesë të një strategjie më të gjerë zhvillimi ekonomik dhe turistik për vendin.
“Gjërat ecin në paralel. Nga njëra anë duhet zhvillimi infrastrukturor dhe natyrisht zhvillimi i përgjithshëm ekonomik, i cili sjell një standard më të lartë për vendin dhe qytetarët. Nga ana tjetër, aktivitetet e këtij niveli dhe një kalendar i pasur kulturor-artistik e bëjnë Shqipërinë një destinacion më të njohur, të sigurt dhe tërheqës”, tha z. Gonxhja.
Sipas tij, evente të këtij niveli ndikojnë drejtpërdrejt edhe në ekonominë e turizmit, hotelerisë dhe shërbimeve, pasi rrisin fluksin e vizitorëve dhe interesin ndërkombëtar për vendin.
“Pa njerëz, kjo industri nuk funksionon”, u shpreh ministri, duke shtuar se promovimi i Shqipërisë përmes aktiviteteve të mëdha ndihmon që investimet në infrastrukturë, akomodim dhe turizëm të kenë më shumë fizibilitet ekonomik.
Në argumentimin e tij, z. Gonxhja theksoi se debati “evente apo infrastrukturë” është i gabuar, pasi sipas tij të dyja janë të ndërlidhura. “Këto të dyja janë në një simbiozë; janë të dyja anët e së njëjtës medalje”, deklaroi ai, duke shtuar se një vend nuk mund të synojë të ngjitet në hartën ndërkombëtare vetëm me investime fizike, pa krijuar edhe interes kulturor e artistik.
Bazuar në standardet ndërkombëtare të eventeve të këtij niveli, ekspertë të industrisë së muzikës live vlerësojnë se një koncert me kapacitet 60 mijë persona, skenografi masive, logjistikë ndërkombëtare, siguri dhe infrastrukturë të përkohshme mund të kushtojë disa miliona euro.
Klodian Makashi, nga “Redcloud”, pohon se kompania organizatore ka praktikën e marrjes me qira të infrastrukturës që përdoret në ndërtimin e përkohshëm të stadiumit, gjë që e çon koston e investimit më të ulët.
Në platformën zyrtare të shitjes, çmimet për koncertin në Tiranë variojnë nga 120 deri në 340 euro për kategori të ndryshme. Z. Makashi pohon se deri tani, shitja e biletave ka arritur rreth 25 mijë. Sipas tij, ka gjithmonë skeptikë të minutës së fundit, sidomos nga të huajt që kanë shprehur interesin për të ardhur në Shqipëri.
Nëse bëhet një përllogaritje bazuar te çmimet aktuale të biletave, çmimi mesatar për spektator mund të llogaritet rreth 230-250 euro. Në një skenar ku kapaciteti maksimal do të mbushej, të ardhurat bruto potenciale të eventit mund të arrinin në rreth 13-15 milionë euro.
Megjithatë, kjo nuk përkthehet automatikisht në fitim. Evente të këtij niveli kanë kosto shumë të larta për pagesën e artistit, produksionin teknik, ndërtimin e skenës, transportin e stafit dhe pajisjeve, sigurinë, akomodimin dhe logjistikën ndërkombëtare.
Organizatorët kanë deklaruar publikisht se 7 milionë euro i merr vetëm këngëtari. Për këtë arsye, edhe koncertet me shitje masive biletash shpesh operojnë me marzhe fitimi më të ngushta nga sa perceptohet publikisht.
Eventi, përpjekje për ta siguruar, me një mbulim rreth 7.3 milionë euro
Një nga elementet më delikatë të organizimit të një eventi të këtyre përmasave është sigurimi. Sipas ofertave që u janë dërguar kompanive vendase të sigurimit, organizatorët po kërkojnë mbulim për një sërë rreziqesh, përfshirë anulimin e eventit, mosparaqitjen e artistit, terrorizmin, kushtet e pafavorshme atmosferike, tarifën e artistit, rimbursimin e biletave, shtyrjen e koncertit dhe rastet e forcës madhore.
Shuma e kërkuar për mbulim për koncertin e Kanye West arrin në rreth 7.3 milionë euro, sipas ofertave dërguar shoqërive të sigurimit, një nivel që kompanitë vendase vështirë se mund ta mbulojnë të vetme. Për këtë arsye, një risk i tillë do të duhej të kalonte përmes risiguruesve ndërkombëtarë, aq më tepër që sigurimi i anulimit të eventeve konsiderohet një produkt me rrezik të lartë për industrinë e sigurimeve kudo në botë.
Organizatorët pohuan për “Monitor” se janë në diskutime me kompani lokale dhe të huaja, pasi në Shqipëri tregu i sigurimeve është më i fokusuar te mbulimi i dëmeve dhe jo te sigurimi i anulimit të eventeve. Sipas tyre, sigurimi i koncertit do t’u jepte më shumë garanci financiare në rast të ndonjë skenari të paparashikuar.
Shoqëritë shqiptare të sigurimit kanë kufizime ligjore mbi nivelin maksimal të mbulimit që mund të marrin përsipër, të lidhur me kapitalin e tyre.
Në rastin e kompanisë më të madhe në vend, sipas primeve, ky kufi vlerësohet rreth 4.5 milionë euro. Megjithatë, edhe në këtë rast, asnjë shoqëri e vetme sigurimi shqiptare nuk do të merrte përsipër një ekspozim të tillë pa mbështetje nga risiguruesit.
Në tregjet ndërkombëtare, sigurimi i anulimit të eventeve është praktikë standarde për koncerte të mëdha. Ai mbulon rreziqe si moti ekstrem, sëmundja ose mosparaqitja e artistit, terrorizmi, shtyrja e eventit, dëmtimet në infrastrukturë dhe rimbursimi i biletave.
Për evente të mëdha, ekspozimi financiar mund të arrijë nga disa milionë deri në dhjetëra milionë euro, ndaj risku zakonisht ndahet mes siguruesve dhe risiguruesve ndërkombëtarë.

Mes marketingut global dhe reputacionit
Për qeverinë shqiptare, koncerti mund të shihet si një investim në marketing territorial, një mënyrë që Shqipëria të hyjë në qarkun e eventeve europiane dhe për të tërhequr vëmendje ndërkombëtare. Por kritikat nuk mungojnë. Kanye West mbetet një nga figurat më polarizuese të industrisë muzikore globale.
Në vitet e fundit, ai ka humbur kontrata me marka të mëdha si “Adidas” dhe “Balenciaga” pas deklaratave të tij publike.
Kjo e vendos Shqipërinë përballë një dileme që e kanë ngritur shumë vende të tjera më parë, pra a duhet ndarë artisti nga deklaratat dhe sjellja e tij publike? Dhe deri ku shkon kufiri mes promovimit kulturor dhe normalizimit të figurave kontroverse?
Në aspektin ekonomik, koncerti mund të jetë një sukses i madh turistik dhe financiar. Në aspektin e reputacionit, ai mbetet një bast me rrezik të lartë.
Koncerti i Kanye West mund t’i sjellë ekonomisë shqiptare disa miliona euro qarkullim në vetëm pak ditë, por njëkohësisht nxjerr në pah sa e papërgatitur është ende infrastruktura shqiptare për evente të kësaj shkalle. Nëse vijnë realisht 40 deri në 60 mijë persona, fituesit e parë janë hotelet, Airbnb, restorantet, taksitë, baret dhe fluturimet.
Korriku është sezon i lartë dhe një event i tillë mund të mbushë Tiranën dhe zonën e Durrësit me turistë që shpenzojnë shumë më tepër se turistët klasikë të plazhit. Vetëm akomodimi për disa net mund të sjellë qindra euro shtesë në treg.
Testi i çmimeve të biletave
Ky është eventi i parë ku çmimet e biletave janë të nivelit të koncerteve ndërkombëtare, ku minimum është 100 euro (çmimi më i ulët në presale-shitjet paraprake) dhe maksimumi i kalon 300 dollarë.
Më herët biletat e koncerteve në Shqipëri janë luhatur mes 20-50 dollarë dhe kanë arritur deri në 150 dollarë për vendet VIP (si koncerti i Scorpions një vit më parë, që u zhvillua në sheshin Skëndërbej).
Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT), paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në shkallë vendi është 86.984 lekë (rreth 870 euro), ndaj pesha e biletave të koncertit të Kanye West rezulton e lartë për standardin shqiptar. Përkatësisht:
- bileta më e lirë prej 120 eurosh përfaqëson rreth 14% të pagës mesatare mujore
• një biletë prej 340 eurosh zë rreth 39% të të ardhurave mujore bruto.
Kjo e bën koncertin një provë të fortë të fuqisë blerëse në Shqipëri dhe rajon. Në praktikë, pjesa më e madhe e publikut që mund të përballojë kategori të larta biletash pritet të vijë nga diaspora, turistët e huaj apo shtresa me të ardhura mbi mesataren.
Pikërisht për këtë arsye, organizatorët kanë folur shpesh për një event me target më të gjerë se sa ai shqiptar.
Sipas faqes zyrtare të shitjes së biletave, YEAlbania, çmimi më i shtrenjtë është 339 euro për kategori që janë më afër skenës dhe janë të ulur. Kjo tregon se eventi synon publik me fuqi të lartë blerëse dhe jo thjesht tregun lokal. Megjithatë, në javën e tretë të majit më shumë se gjysmat e biletave e ende nuk janë shitur.
Sipas Klodian Makashit, nga “Redcloud” aktualisht shiten rreth 400 bileta në ditë. Sipas tij, ka një numër biletash që duhen shitur patjetër, sepse ajo është pjesa që bën break-even-in. “Gjysma e atij objektivi është arritur, ndërkohë që kemi ende dy muaj kohë për të shitur” – shprehet ai.
Z. Makashi shton se, nuk do të gjenden në situatën e pakëndshme ku do të gjenerohen humbje.
“Të gjithëve duhet të na interesojë që ky projekt të gjenerojë sa më shumë fitime, sepse do të jetë një histori suksesi shumë e mirë, e cila do të dalë edhe jashtë Shqipërisë dhe do të përmendet edhe nga grupet e interesit që merren me këtë punë në Europë”, – shton ai.
Një çështje delikate sa i përket organizimit, është logjistika.
Shqipëria nuk ka përvojë reale me një koncert të këtyre përmasave. Rruga Tiranë – Durrës bllokohet edhe në fundjavat normale të verës. Nëse mijëra njerëz lëvizin njëkohësisht drejt stadiumit, trafiku mund të kthehet në kaos total.
Nuk ka transport publik masiv, nuk ka linja treni funksionale për flukse të mëdha dhe kapacitetet e parkimit janë të kufizuara.
Por, sa fiton realisht Shqipëria?
Nëse organizimi financohet nga privatët, – në rastin konkret është konfirmuar që investimi është i tëri i kompanisë “StreetLife”, dhe sjell turistë të huaj, – efekti ekonomik mund të jetë pozitiv.
Megjithatë, në rastet kur angazhohen struktura publike, infrastrukturë shtetërore apo forma të tjera të mbështetjes institucionale, diskutimi ekonomik zhvendoset edhe te raporti kosto–përfitim.
Në vende të ndryshme europiane, evente të ngjashme justifikohen financiarisht vetëm kur arrijnë të gjenerojnë fluks të konsiderueshëm vizitorësh dhe konsum shtesë në ekonomi, përtej ndikimit mediatik apo promovimit të imazhit të vendit.
Nga ana tjetër, Shqipëria fiton ekspozim ndërkombëtar. Emri Tirana po qarkullon në media globale, në faqe muzikore dhe rrjete sociale ku normalisht nuk shfaqet.
Sipas përllogaritjes së bërë nga shteti, mendohet se të ardhurat që do të përftohen në mënyrë direkte në vend janë deri në 120 milionë euro.
“Nga 100 milionë euro deri në 120 milionë euro mendohet të jetë xhiro e përgjithshme që këto lloj aktivitetesh zakonisht sjellin. Është aktiviteti më i madh në historinë e Shqipërisë, në këto përmasa”, -shprehet për “Monitor”, ministri Blendi Gonxhja. Sipas tij, ka një të ardhur të dytë shumë të rëndësishme, që është ajo indirekte.
“Përfitojmë promovimin e imazhit, e reputacionit, të destinacionit dhe besueshmërisë së brandit shqiptar sa u takon eventeve dhe organizimeve të këtij niveli.
Pra, një nivel elitar i performancës nga pikëpamja e këngëtarit, por edhe një nivel shumë i lartë i organizimit të eventit dhe i sigurisë. Të gjitha këto, në të gjithë botën, përkthehen në një kartëvizitë të jashtëzakonshme për Shqipërinë, nga pikëpamja e imazhit ndërkombëtar”, – përfundon ministri.
Por ka edhe risk reputacioni, sepse Kanye West është një figurë shumë kontroverse. Disa vende europiane janë distancuar nga aktivitetet e tij pas deklaratave antisemite dhe polemikave publike që kanë shoqëruar artistin vitet e fundit.
Në Indi, një koncert i planifikuar në fund të majit u anulua, duke kthyer sërish debatin mbi vështirësinë që kanë organizatorët dhe sponsorët për t’u lidhur me një emër që vazhdon të prodhojë audiencë masive, por edhe reagime të forta publike.
Në këtë kontekst, fakti që Shqipëria po e promovon si mega-event veror mund të shihet si guxim marketingu dhe mundësi për ekspozim global, ndërsa nga të tjerë, si një test i standardeve dhe filtrave që aplikohen kur një vend kërkon të tërheqë evente ndërkombëtare me ndikim të madh mediatik.
Efekti në ekonomi, 120 milionë euro, shumë i fryrë;
Qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Turizmit, të Kulturës dhe të Sporteve ka deklaruar zyrtarisht një efekt të pritshëm në ekonomi prej 120 milionë eurosh
Sipas “California Center for Jobs & the Economy”, gjashtë koncertet e Taylor Swift në Los Anxhelos, që u ndoqën nga 420 mijë mbajtës biletash gjatë gjithë periudhës, me pak më shumë se 70 mijë pjesëmarrës në çdo shfaqje, u vlerësuan se shtuan rreth 320 milionë dollarë në PBB-në lokale dhe mbështetën rreth 3,300 vende pune.
Kjo do të thotë se ndikimi për koncert luhatet në 50-60 milionë dollarë, ose 45-50 milionë euro (shënim i “Monitor”).
Nëse kthehemi te Shqipëria, edhe me supozimin që të gjitha biletat do të shiten dhe çdo fans do të shpenzojë 1100 euro, efekti maksimal në ekonomi nuk i kalon 70 milionë euro.
Kjo është një shifër e ekzagjeruar, pasi shumë pjesëmarrës mund të jenë vendas dhe çmimet si të hoteleve, të transportit dhe të ushqimeve janë më të lira se në SHBA.
Një tjetër interes i shtuar ka qenë nga reklamuesit, sipas të dhënave nga agjencitë, që e kanë parë si një mundësi të mirë për të reklamuar imazhin, apo produktin e tyre, që do të jetë një tjetër burim gjenerimi të ardhurash.
Duke pasur parasysh tregun e reklamave në vend, që qarkullon rreth 60-70 milionë euro në vit dhe reklamuesi më i madh nuk shpenzon më shumë se 4-5 milionë euro në vit, shifrat nuk pritet të jenë të jashtëzakonshme.
Burime nga tregu thanë se sponsorizimi arrin maksimumi 250 mijë euro, që konsiderohet shumë i lartë nga kompanitë vendase, përveç faktit që ka një hezitim për shkak të imazhit kontrovers të Kanye West.
A do të tërheqë koncerti turistë; “
Vetëm tregu vendas është shumë i vogël për të garantuar shitjen e biletave. Koncerte të përmasave të tilla me audiencë të pritshme mbi 50 mijë persona organizohen në qytete të mëdha, që kanë si kërkesën, fuqinë blerëse ashtu dhe infrastrukturën. Në rastin e Shqipërisë duket se shpresa kryesore janë turistët e huaj.
Deri tani, koncerti i pritshëm i Kanye West më 11 korrik, i promovuar nga organizatorët si një event me interes të jashtëzakonshëm nuk po shoqërohet nga tregues ekonomikë që zakonisht reflektojnë një kërkesë të tillë.
“Monitor” kontaktoi me “Wizz Air”, kompaninë low-cost që ka pjesën më të madhe të tregut vendas të fluturimeve, me rreth 60%, për të kuptuar nëse ishte vërejtur ndonjë rritje e pazakontë e kërkesës. “Në këtë pikë mund të konfirmojmë se nuk shohim ndonjë lidhje mes datës së koncertit dhe një kërkese më të lartë për bileta”, deklaroi kompania.
Edhe në platformën e akomodimit “Booking”, vetëm për natën e 11 korrikut, me largim më 12 korrik, rezultojnë 1,456 listime aktive, me çmime që nisin nga 10–15 euro për dy persona dhe arrijnë deri në nivele shumë më të larta për vila apo struktura me kapacitete të mëdha.
Interes më i lartë duket nga vendet e rajonit. Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Hotelierëve, shprehet se është vënë re një rritje e interesimit dhe rezervimeve për datat mes 9-12 korrik që lidhet edhe me datën e koncertit. Kryesisht, sipas tij, rezervimet vijnë nga vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia apo Mali i Zi.
Anulohet koncerti në Indi
Kanye West ka anuluar koncertin e tij të parë në Indi, që ishte planifikuar të mbahej më 23 maj në Nju Delhi, vetëm pak ditë para zhvillimit të eventit.
Sipas “The Economic Times”, organizatorët thanë se vendimi u mor pas direktivave të sigurisë nga autoritetet, ndërsa njoftuan se të gjithë blerësit e biletave do të rimbursohen. Përveç arsyeve zyrtare të sigurisë, në rrjetet sociale pati edhe diskutime se koncerti mund të mos kishte shitur mjaftueshëm bileta.
Kjo lidhet me debatin më të gjerë për të ashtuquajturën “Blue Dot Fever”, fenomeni ku shumë vende të pashitura shfaqen si pika blu në hartat e biletave. Megjithatë, shitjet e dobëta nuk janë konfirmuar zyrtarisht si shkak i anulimit.
Europa që po mbyll dyert
Në javët e fundit, disa vende europiane kanë anuluar ose refuzuar koncertet e Kanye West për shkak të deklaratave të tij antisemite dhe glorifikimit të nazizmit. Në Mbretërinë e Bashkuar, autoritetet i refuzuan hyrjen artistit, duke sjellë edhe anulimin e festivalit “Wireless”, ku ai ishte planifikuar të ishte “headliner” për tri net radhazi.
Sipas “Reuters” dhe mediave britanike, vendimi u mor pasi sponsorë të mëdhenj u tërhoqën dhe qeveria britanike argumentoi se prania e tij “nuk ishte në interesin publik”. Edhe në Zvicër dhe Poloni, koncertet e planifikuara janë anuluar.
Klubi zviceran FC Basel refuzoi organizimin e eventit pas presionit publik dhe debatit politik mbi deklaratat e artistit.
Në Francë, koncerti në Marsejë u shty mes kritikave të forta politike dhe presionit publik. Shqipëria duket se po ndjek logjikën e kundërt, aty ku vende të Europës po distancohen, Tirana po e shndërron koncertin në një simbol të hapjes dhe ambicies për evente globale. /Monitor