Këlliçi: Ta bëjmë PD-në shumicë morale, partinë ku bashkohen energjitë më të mira të vendit

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka mbajtur një fjalim përpara delegatëve në Kuvendin Kombëtar, duke bërë thirrje për një fazë të re politike që tejkalon thjesht mbijetesën dhe rezistencën.

Këlliçi theksoi se ka ardhur koha që opozita të hapë dyert përmes një projekti të madh dhe gjithëpërfshirës për bashkimin e çdo opozitari, intelektuali, profesionisti dhe të rinjve në diasporë. Ai nënvizoi se bashkimi rreth një platforme moderne qeverisëse është rruga e vetme për të përmbysur regjimin dhe për të kthyer PD-në në shumicë qeverisëse.

Pjesë nga fjala e Këlliçit:
Jemi mbledhur këtu në ditë të veshtira për vendin, qytetarë të ndryshëm po merren zvarrë nga civilë me maska, në prani të policisë së shtetit në Zvërnec!

Ajo që ndodhi në zgjedhjet lokale të vitit 2023 synonte zhdukjen përfundimtare të partisë së parë opozitare në vend. Pa vulë, pa logo, pa financa, pa minutazh mediatik, por me të vetmin parim që pushteti kriminal i Ramës nuk ka arritur ende ta blejë: rezistencën e demokratëve patriotë.

Mbrojtja e PD-së u njehsua me mbrojtjen e vetë idesë së demokracisë. Përballë kishim jo vetëm administratën, propagandën e egër, por edhe një model të tërë pushteti që funksionon si korporatë e frikës dhe shantazhit. Edhe pse e dija se përballë kisha organizata kriminale, përfshi atë 5D, hoqa dorë nga ulësja e sigurt e Kuvendit, për të kërkuar votbesimin tuaj si kandidat për Bashkinë Tiranë.

Ende sot u jam mirënjohës mbi 100 mijë qytetarëve që më votuan kundër makinerisë së shfrenuar elektorale të Rilindjes, jo veç për një kandidat, por për të drejtën legjitime për të mos u ndjerë peng në qytetin e tyre.

Ato vota faktuan se ne ishim përfaqësues të shqiptarëve që refuzojnë modelin kriminal të një narkoshteti, që refuzojnë shpopullimin, vrasjen masive nga ndotja e ajrit, lëngimin e arsimimit.

Pas të gjitha shpifjeve e goditjeve monstruoze që mora në fushatë, as nuk e çova ndërmend të ndaloja, pasi beteja ime qe mision për të zhdukur njëherë e mirë farën e keqe në krye të qytetit tonë të dashur.

Ia dolëm bashkë dhe sot Erion Veliaj është aty ku e meritonte! Pushteti nuk kërkonte vetëm të fitonte ndaj Partisë Demokratike, por ta kthente atë në relike muzeale të tranzicionit shqiptar, një simbol pa forcë, një emër pa nerv, një opozitë dekorative që duhej të ekzistonte vetëm si alibi për fasadën demokratike të regjimit.

Në 2025-ën, edhe pse jo me rezultatin që punuam e kërkuam sepse garonim përballë një parti-narkoshteti, sërish na mbajti rezistenca.

Trokitëm në çdo organizatë ndërkombëtare për të faktuar se në Shqipëri tashmë nuk ka më zgjedhje por farsë, nuk ka më program por patronazhistë, nuk ka më vizion por grupe kriminale.

Sot çdo kancelari ndërkombëtare është e informuar mbi shtetin kriminal e patronazhist të Edi Ramës, faktet e Opozitës tashmë janë 32 kushtet për integrimin. Sot opozita shqiptare nuk konsiderohet më “problemi”, por alarmi që grisi perden e hekurt të propagandës e lobuesve të autokratit Rama.

Ta themi troç, nëse Rithemelimi nuk do të kishte ndodhur, sot nuk do të diskutonim për “reset”, për modernizim apo për rotacion. Do të diskutonim vetëm për fundin politik të opozitës shqiptare.Prandaj Rithemelimi ishte kushti i parë i shpresës, momenti kur Partia Demokratike refuzoi të firmoste kapitullimin.

Nuk do të kishte të ardhme politike të Partisë Demokratike pa atë refuzim historik për t’u dorëzuar. Dhe kjo është meritë e demokratëve.

Por sot, pikërisht sepse e shpëtuam Partinë Demokratike, pas rezistencës, pas betejave, pas mbijetesës, kemi detyrimin moral të bëjmë pyetjen që ndan partitë historike nga ato kalimtare.

A e shpëtuam Partinë Demokratike vetëm për ta mbajtur gjallë? Apo për ta bërë më të madhe se vetja? A u përmbush plotësisht premtimi i Rithemelimit?

Rithemelimi ishte premtim për ripërtëritje politike në kuptimin më fisnik të fjalës: një Parti Demokratike më e hapur, më moderne, meritokratike, më tërheqëse për shoqërinë shqiptare. Ndaj ky Kuvend duhet të jetë prova jonë kryesore para shqiptarëve si për reflektim të sinqertë, asthu edhe për gatishmëri si qeveri në pritje.

Koha e mbijetesës u mbyll dhe një parti që ka kaluar përmes zjarrit nuk ka luksin të sillet si viktimë. Sepse ne nuk ishim të tillë në Rithemelim dhe nuk ka sesi të jemi në Ripërtëritje. Dhe këtu dua të ndalem te një çështje që kërkon pjekuri historike.

Unë besoj se demokratët nuk kanë luksin të fragmentohen pafundësisht në parti të vogla që ushqehen nga të njëjtat plagë, nga të njëjtat zhgënjime dhe nga e njëjta histori. Sepse përballë nuk kemi një kundërshtar normal politik, por një sistem që ka investuar prej vitesh në përçarjen e çdo alternative që mund ta rrezikojë.

Ndaj sot më shumë se kurrë duhet të kuptojmë se bashkimi nuk është kompromis dobësie, por inteligjencë politike për të kuptuar momentin historik.

Dhe momenti historik është ky: ose opozita bashkohet rreth një projekti modern, të hapur dhe serioz qeverisës, ose regjimi do të vazhdojë të fitojë, jo nga forca e tij, por nga copëzimi ynë. Pushtetit aktual nuk mbahet vetëm nga propaganda, por edhe nga perceptimi se alternativa ende nuk është bërë shumicë morale. Detyra jonë është të bindim Shqipërinë se Partia Demokratike nuk është më vetëm partia e rezistencës.

Por partia ku mund të bashkohen energjitë më të mira të këtij vendi. Në Ballkan, pushtetet nuk bien vetëm sepse lodhen, por edhe kur njerëzit fillojnë të besojnë se alternativa është më e sigurt se frika.

Ky është misioni ynë sot, jo thjesht të fitojmë zgjedhjet e ardhshme, por të rikthejmë besimin se politika mund të prodhojë ende dinjitet, standard dhe shtet. Ky është reset-i i vërtetë i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top