Duhej të kalonin tetë muaj që, më në fund, të rrëzohej edhe përralla e fundit e aeroportit të Vlorës. Jo ajo e një konflikti të ashpër mes ortakësh, sepse askush nuk e besoi seriozisht se një ortak me 2% të aksioneve mund të mbante peng një investim të financuar pothuajse tërësisht nga tjetri. As ajo e rrezikut të sigurisë kombëtare, sepse askush nuk e beson vërtet komplotin me rusë që do të marrin një ditë aeroportin në Vlorë. Por përralla që është rrëzuar tani është ajo që e paraqiste një biznesmen pothuajse të panjohur si Valon Ademi, sikur të ishte protagonisti i madh i një beteje ku iu bashkuan gjykata, polici, qeveria dhe një pjesë e medias.
Vendimi i Gjykatës së Lartë i 27 majit tani i ka hapur rrugë rikthimit në normalitet në kantierin e aeroportit të Vlorës. Pritet që disa qindra punëtorë t’i rikthehen përditshmërisë në punë, terminali të përfundojë në pak kohë dhe strukturat të certifikohen sipas parametrave më të mirë të sigurisë.
Analiza e Monitor dhe letra e Delphos/ Fundi i “komplotit rus” te Aeroporti i Vlorës
26 Mars, 17:23
Por nga ana tjetër, ky vendim i Gjykatës së Lartë e bën sot më të qartë, skenografinë që u ngrit për ta shpronësuar aeroportin.
Për muaj të tërë, publikut iu kërkua të besonte një gjë të pazakontë: se problemi i aeroportit të Vlorës nuk ishte fakti që investitori me 98% të aksioneve po humbiste kontrollin mbi kompaninë e vet, por se problemi ishte vetë investitori. U tha se nuk duhej pyetur pse 98% po shkonte drejt shpronësimit de facto të pronës së tij, por se ishte normale që 2% të paraqitej si shumicë. Që nuk duhej parë absurditeti juridik me të cilin gjykatat po mbanin të bllokuar një investim dhjetëra miliona euro, por duhej parë armiku që vinte nga jashtë dhe që po prodhohej nga propaganda e ditës.
Dhe propaganda prodhoi shumë gjatë kësaj kohe. Prodhoi rusë që futen në Shqipëri duke rrezikuar sigurinë kombëtare. Prodhoi rreziqe gjeopolitike nëpërmjet thashethemeve që përhapin frikë. Prodhoi histori patriotësh dhe tradhtarësh shoqëruar me analiza të gjata që shpjegonin gjithçka, përveç pyetjes më të thjeshtë: Si arriti një biznesmen që deri dje nuk e njihte askush në Tiranë të vendoste në lëvizje kaq shumë mekanizma pushteti në favor të tij?
Behgjet Pacolli mund të pëlqehet ose jo, por ai është pjesë e jetës publike prej dekadash, një figurë politike, por edhe një biznesmen që ka synuar gjithnjë të futet në tregun e Shqipëris. Para aeroportit në Vlorë, ishte tentativa për një rezort në plazhin e Divjakës. Kurse personazhi tjetër i kësaj historie, Valon Ademi hyri në skenën publike shqiptare si një anonim me lidhje të fshehta në qeveri.
Jo më kot, për një periudhë të gjatë, gjithçka dukej sikur rrotullohej rreth tij.
Fillimisht ishin vendimet e gjykatave të Apelit në Tiranë, deri në pikën sa të kryhej një akrobaci si ajo e muajit dhjetor. Në datën 22 Dhjetor, Gjykata e Apelit lejoi vazhdimin e punimeve në aeroportin e Vlorës, me Behgjet Pacollin me shumicë të aksioneve.
Por një ditë më pas, gjithçka u përmbys.
Para se të jepej vendimi në Gjykatën e Apelit, Valon Ademi kishte depozituar paralelisht një kërkesë tjetër për sigurim padie në gjykatën e Shkallës së Parë dhe këtu i doli në krah gjykatësja Marjana Shegani.
Në shpërfillje të Apelit që mori vendim në 22 dhjetor, Marjana Shegani e Shkallës së Parë dha një vendim të paprecedent në 23 dhjetor që përmbyste krejtësisht hierarkinë e gjykatave. Shegani vendosi bllokimin sërish të votimit të MABCO në Asamblenë e kompanisë Vlora International Aeroport, çka nënkuptonte bllokimin e punimeve në aeroport.
Paralelisht, në media nisi të krijohej narrativa sipas së cilës investitori me 98% të aksioneve paraqitej si problem, ndërsa ortaku me 2% si zgjidhje. Për muaj me radhë, qeveria u tërhoq nga konflikti dhe nuk bëri asnjë reagim, duke i lejuar biznesmenit pakicë të kishte kontrollin e plotë të kantierit.
Kur situata u acarua në terren ndërhyri policia, gjithnjë duke sulmuar investitorin me 98% të aksioneve.
Historia e aeroportit të Vlorës nuk është interesante për atë që thotë për Pacollin, por sepse zbulon mënyrën se si funksionon pushteti në Shqipëri. Tek arroganca e një biznesmeni të vogël, mund të zbulosh fuqinë e atyre që e mbështesin atë në prapaskenë.
Fillimisht ishte e vështirë të kuptohej se si një figurë pothuajse anonime arriti të sigurojë atë që shumica e biznesmenëve në Shqipëri e shohin në ëndërra: një harmoni të rrallë mes segmenteve të gjyqësorit, administratës publike dhe zërave që zakonisht shfaqen në media sa herë duhet të shitet një kauzë si interes publik.
Por pjesa më interesante e kësaj historie ishin transformimet e menjëhershme morale që prodhoi. Njerëz që për vite kishin shprehur vlerësime për Pacollin dhe që e pranojnë publikisht miqësinë që kanë pasur me të, papritur zbuluan tek ai rreziqe që nuk i kishin parë kurrë më parë. Analistë që i gjen gjithnjë në radhën e parë të avokatëve lolo të qeverisë e përshkruanin Valon Ademin si ndonjë Skënderbe që do të shpëtonte Shqipërinë nga ndërhyrja e rusëve në Ballkan.
Shpesh mjafton të ndjekësh interesin për të kuptuar burimin e frymëzimit.
Që ditën e parë që ky biznesmen u shfaq në Tiranë, rezultoi se ishte i lidhur në biznese nëpërmjet babait të tij, me disa kompani përfituese të tenderave në Ministrinë e Infrastrukturës. Të dhënat dolën nga hetimet e SPAK për Belinda Ballukun dhe tenderat që kishte shpërndarë ajo për Unazën e re të Tiranë.
Trekëndëshi Balluku-Abazi-Ademi/ E vërteta për bllokimin e aeroportit të Vlorës
11 Janar, 12:57
Babai i Valon Ademit rezulton ortak në këto afera me Arbër Abazin, nip i ish-deputetit socialist, Sadri Abazi dhe bashkëjetues i vajzës së tezes së Belinda Ballukut.
Fijet e biznesit duket se shpjegojnë burimin e fuqisë së Valon Ademit. Pikërisht këto lidhje i japin përgjigje një pyetjeje që nuk e zgjidh dot asnjë vendim gjykate: Si u gjunjëzua një sistem i tërë politik, para një biznesmeni të panjohur, duke bërë bashkë gjykata, administratë, politikë dhe një kor të tërë zërash publikë?
Ndaj vendimi i Gjykatës së Lartë sot ka një meritë që shkon përtej kantierit të aeroportit. Ai na lejon sot të shohim dhe të kuptojmë më qartë se kjo nuk ishte një përplasje mes dy biznesmenësh, por një përpjekje e segmenteve më të korruptuara të shtetit për të kapur plaçkën e radhës.