Luciano Spalletti analizoi me hidhërim barazimin 2-2 në derbin e Torinos mes Juventus dhe Torinos, duke vënë theksin sidomos te qëndrimi mental i skuadrës së tij. Pas avantazhit të dyfishtë të firmosur nga Dusan Vlahovic, bardhezinjtë u arritën nga Cesare Casadei dhe Che Adams, në një mbrëmje të shënuar edhe nga kaosi jashtë stadiumit dhe vonesa e gjatë para nisjes së ndeshjes.
Pas ndeshjes, trajneri juventin nuk e fshehu zhgënjimin në mikrofonat e Sky: “Unë jam trajneri dhe duhet të analizoj atë që ndodhi. Është e qartë se rezultatet e të tjerëve mund të kenë ndikuar, sepse të gjithë pyetnin për ato rezultate në pushim kur u kthyem në dhomat e zhveshjes. Por këtu shihet karakteri i njerëzve, nuk është e njëjta gjë të kesh dy pikë më shumë apo më pak dhe nuk është e njëjta gjë të ndryshosh sepse merr një rezultat nga një fushë tjetër. Duhet të rritemi nga ky këndvështrim”.
Spalletti këmbënguli më pas te tema e personalitetit, duke e konsideruar vendimtare në momentet delikate të sezonit: “Diferencën e bën gjithmonë karakteri i njerëzve. Personaliteti dhe karakteri ndonjëherë shkojnë bashkë, por karakteri i atij që nuk dëgjon askënd dhe ndjek objektivin e tij gjithmonë bën diferencën. Pastaj mund ta humbësh ose fitosh duelin, por ai që mendon kështu sillet gjithmonë në të njëjtën mënyrë, sepse shkon deri në fund”.
Trajneri nënvizoi gjithashtu se dyshimet mund të peshojnë shumë në një klub si Juventus: “Pastaj të gjithë kemi dyshime kur hyjmë në fushë, por kur jeton brenda këtyre dyshimeve bëhet e vështirë. Nëse ke gjithmonë dyshime, atëherë nuk ke karakter dhe nuk mund të luash te Juventus”.
Spalletti: “Të dëgjosh se fëmijët nuk mund të mbajnë shall bardhezi është diçka që duhet luftuar”
Duke parë nga e ardhmja, Spalletti pranoi se do të nevojiten përforcime për të ngritur nivelin konkurrues të skuadrës: “Janë diskutime që i kemi bërë tashmë me Comollin, duhet të marrim lojtarë që rrisin nivelin, sepse ka momente kur nuk arrijmë të reagojmë”.
Në fund, mendimi shkoi te tifozi juventin i mbetur i plagosur para ndeshjes dhe i shtruar në spital: “Të gjithë po presim lajme për këtë djalë që ndodhet keq në spital, të cilit i urojmë të shërohet sa më shpejt”. Më pas edhe goditja për çështjen e “dress code”-it në stadium: “Të dëgjosh se fëmijëve nuk u lejohet të mbajnë një shall bardhezi është diçka që nuk mund të dëgjohet dhe që duhet luftuar”.