Ndërsa Athina po përpiqet të vendosë në tryezë negociatat për kufirin detar, në terren po ndodhin zhvillime që tregojnë se Greqia, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara po avancon ndërkohë me projektet energjitike në zonën e diskutueshme të Jonit. Duhet kuptuar se vizita në Tiranë e ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, vjen në një moment kur qeveria greke nuk ka pritur një vendim përfundimtar për kufirin detar, por ka nisur nga puna në bashkëpunim me kompanitë gjigande amerikane të energjisë.
Kërkimet për gaz janë parashikuar në një marrëveshje të nënshkruar në Athinë për nisjen e shpimeve eksploruese për gaz në “Bllokun 2” në Jon, nga konsorciumi ku bëjnë pjesë ExxonMobil, Energean dhe HELLENiQ Energy.

Në hartat e publikuara nga mediat greke, kufiri verior i këtij blloku paraqitet me vijë të ndërprerë, sipas versionit grek të delimitimit me Shqipërinë. Ajo që bie në sy është se ishujve grekë përballë bregdetit shqiptar u jepet efekt i plotë në ndarjen detare, duke e shtyrë vijën kufitare drejt veriut, edhe pse kufiri mbetet ende i pazgjidhur mes dy vendeve.
Diskutimi për efektin e ishujve është pikërisht një nga çështjet që rrëzoi marrëveshjen e vitit 2009 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Në vendimin e saj, Kushtetuesja argumentonte se nuk duhej zbatuar “parimi i barazlargësisë strikte”, por një kombinim mes barazlargësisë dhe ekuitetit. Gjykata theksonte gjithashtu se ishulli i Korfuzit krijon “rrethana gjeografike në disfavor të palës shqiptare”.
Duhet marrë parasysh se zhvillimi i ri energjitik në detin Jon, bashkëpunimi me disa nga kompanitë e mëdha amerikane dhe pozicioni i afërt me administratën Trump e ndryshon ndjeshëm edhe peshën gjeopolitike të Athinës. Në muajt e fundit, Greqia është kthyer në një nyje strategjike të projekteve energjitike amerikane në Europën Juglindore, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga administrata amerikane. Projekti i ri në Jon konsiderohet pjesë e strategjisë së SHBA për të zgjeruar furnizimin me gaz në Europë dhe për të reduktuar varësinë nga Rusia.
Për këtë arsye, hyrja e ExxonMobil në zonën e diskutueshme i jep çështjes një dimension shumë më të madh se sa një debat bilateral Shqipëri-Greqi. Investimet shumë miliardëshe amerikane kërkojnë stabilitet juridik dhe kufij të qartë detarë.
Dhe kjo është arsyeja pse Athina duket se po përpiqet të mbyllë sa më shpejt kapitullin e kufirit detar me Shqipërinë, në një moment kur interesat energjitike amerikane në Jon po rriten ndjeshëm. Këto janë edhe rrethanat kur Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias vjen në Tiranë, ku nuk pritet normalisht nga homologu i tij, por i rezervohet pritje në një nivel më lart, nga vetë kryeministri, si për të treguar se balancat nuk janë të njëjta.