Berisha e quajti përfaqësues të botës së krimit, Salianji: Uzurpator dhe vrasës i shpresës së qytetarëve

Sali Berisha votoi në sallën “Gramoz Pashko” në selinë e PD-së për zgjedhjet e kreut të partisë, në një garë ku është vetëm emri i tij, pasi personat e tjerë që shprehën interes nuk u lejuan të kandidojnë.

Në një komunikim për mediat, Berisha e cilësoi procesin si shembullor, ndërsa sulmoi edhe ish deputetin Ervin Salianji, i cili publikoi disa fletë votimi, në të cilën ishte shkruar emri i tij si një shenjë revolte për faktin se ai nuk u lejua që të kandidojë për kreun e partisë.

Duke e cilësuar si një përfaqësues të botës së krimit, Berisha tha se Salianji nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë vend në selinë blu.

“Besoj se përpëlitjet e një përfaqësuesi të botës së krimit nuk mundet me asgjë të përlyej këtë proces më demokrat në Shqipëri. Përfaqësuesit e krimit nuk kanë dhe nuk do të kenë kurrë vend në këtë parti. Ndarja jonë me botën e krimit është ndarje për jetë a vdekje. Kjo është zgjidhje përfundimtare e jona. Asnjë njeri nuk mund të mendojë se të konsiderojë fuqi në këtë parti fuqinë e krimit. Jo zero.”, tha Berisha.

Salianji i thotë Berishës se sot ai është kthyer “në simbolin e votimit pa garë, uzurpatorit pa zgjedhje dhe pa dinjitet politik, vrasësin e shpresës se qytetarëve për ndryshim” dhe e akuzoi se ka bërë aleancë të hapur me Ramën.

Sipas Salianjit, deri më tani në votime nuk kanë marrë pjesë as 1 mijë anëtarë dhe për këtë thotë se do e faktojë me prova reale, edhe nëse Berisha do përpiqet të manipulojë shifrat.

“Pergjigje për Sali kolltukun; për njeriun më e dhimbshme se humbja është poshtërimi, qesharakëzimi dhe përbuzja përmes talljes.

Sot je kthyer në simbolin e votimit pa garë, uzurpatorit pa zgjedhje dhe pa dinjitet politik, vrasesin e shpreses se qytetarëve për ndryshim!

Deri tani, në të gjithë Shqipërinë nuk kanë marrë pjesë as 1000 anëtarë. Do t’i faktoj me prova reale sa ka qenë pjesëmarrja dhe si po përgatitesh ta manipulosh atë me shifra false.

Meqë e ke me qejf; Je i pashpresë. Frika nga gara të çoi në uzurpimin e Partisë Demokratike dhe në aleancë të hapur me Ramën për të forcuar regjimin Rama-Berisha. Demokratët nuk ta pranojnë më modelin e partisë private, ku votohet pa zgjedhje dhe përjashtohet kush mendon ndryshe.

Bashkë me demokratët do ta çmontojmë regjimin Rama-Berisha dhe do të rrëzojmë praktikat puniste të votimit farsë, që poshtërojnë pluralizmin dhe mbajnë peng opozitën shqiptare.

Falenderime pafund per qindra demokrate që me sjellin me foto fletet e votimit dhe mijëra te tjere qe e kane perbuzur farsen duke e bojkotuar!”– shkruan Salinji.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top