Rënie e theksuar studentësh, universitetet tani po mbahen nga vajzat

Shqipëria po humbet nxënës nga viti në vit teksa nuk po arrin të mbushë më edhe auditorët e universiteteve. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se në vitin shkollor 2025-2026 numri total i regjistrimeve në arsimin parauniversitar ra me 1.7%, duke konfirmuar trendin e tkurrjes demografike dhe emigracionit që po godet sistemin arsimor.

Në total, në shkolla dhe kopshte janë regjistruar 399 mijë nxënës, ndërsa rënia më e fortë shfaqet në arsimin 9-vjeçar, ku rezultojnë 2.7% më pak nxënës krahasuar me një vit më parë. Shifrat tregojnë se boshatisja nuk po prek më vetëm zonat rurale, por po bëhet fenomen kombëtar.

Kontrasti më i fortë duket në universitet. Ndërsa cikli parauniversitar tkurret, arsimi i lartë vijon të mbahet nga regjistrimet e vajzave. Sipas INSTAT, 67.6% e studentëve në programet Master janë femra, ndërsa në Bachelor ato përbëjnë 56.8% të totalit.

Të dhënat reflektojnë edhe një tjetër zhvillim, atë që arsimi profesional vazhdon të mbetet periferik. Vetëm 19.4% e nxënësve të shkollave të mesme kanë zgjedhur arsimin profesional, ndërsa vajzat përbëjnë vetëm 17.2% të regjistrimeve në këtë profil. Kjo tregon se tregu i formimit teknik ende nuk po arrin të tërheqë të rinjtë, pavarësisht kërkesës në rritje për profesione praktike dhe teknike në vend dhe që lakohet gjithmonë e më shumë.

Në universitete, preferencat mbeten të përqendruara te degët tradicionale. “Biznes, administrim dhe ligj” kryeson me 25.2% të studentëve, ndërsa “Shëndet dhe mirëqenie” renditet e dyta me 22.2%. Në vend të tretë vjen “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 16.9%.

Nga të dhënat duket se ekonomia shqiptare vazhdon të prodhojë më shumë juristë dhe ekonomistë sesa profile teknologjike apo industriale, në një kohë kur bizneset ankohen për mungesë të fuqisë së specializuar punëtore.

Sa i takon raportit të arsimit publik dhe privat rezulton se mbi 85% e nxënësve në çdo nivel vazhdojnë të regjistrohen në institucionet shtetërore duke e lënë të kufizuar peshën që ka në sistemin arsimor shqiptar pjesa private. Monitor

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top