Lufta në Lindjen e Mesme/ Importet e lëndëve djegëse 35% më të shtrenjta në prill

Në muajin prill 2026, importet e naftës dhe lëndëve djegëse në Shqipëri rezultuan 35% më të shtrenjta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo rritje e fortë erdhi si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit ushtarak në Lindjen e Mesme, që ka krijuar pasiguri të mëdha në korridoret kryesore të transportit detar të naftës, si ngushtica e Hormuzit.

Një kilogram nga grupi “ lëndë djegëse”, i cili dominohet nga nafta dhe benzina u importua me çmim 101,9 lekë për kilogram në prill 2026  ose 35 për qind më shumë se prilli 2025 ku një kilogram u importua me 75.3 lekë (çmimet u kalkuluan duke pjesëtuar vlerën totale të importeve të grupit “Lëndët djegëse minerale” me sasinë përkatëse në kilogram).

Duke analizuar çmimet për kilogram të importit të lëndëve djegëse që nga fillimi i vitit, në janar 2026, ky tregues ishte 55.2 lekë për kilogram, dukshëm më poshtë se niveli prej 84.2 lekësh i janarit 2025. Edhe muaji shkurt dëshmoi një situatë të përmbajtur me 69.4 lekë për kilogram, krahasuar me pikun prej 96.8 lekësh që ky grup produktesh kishte prekur në shkurtin e vitit 2025.

Përfshirja e Iranit në konflikt ushtarak me 28 shkurt 2026 ka krijuar një panik të menjëhershëm në bursa, duke detyruar kompanitë e sigurimeve detare të rrisin në nivele ekstreme primet e rrezikut për anijet që lundrojnë në këtë rajon.

Ky shtrenjtim i siguracioneve, i kombinuar me vendimin e shumë kompanive të transportit për të shmangur rrugët e rrezikuara duke zgjedhur trajektore më të gjata rreth Afrikës, ka sjellë një rritje të menjëhershme të kostove të transportit detar. Edhe pse sasia fizike e naftës mund të jetë e disponueshme, kostoja për ta sjellë atë deri në portet tona është rritur.

Efektet e këtij shoku në çmimet e importit pritet të ndihen gjerësisht dhe me një efekt domino në të gjithë ekonominë e vendit tonë. Nafta dhe nënproduktet e saj përbëjnë lëndën parësore energjetike për transportin e mallrave dhe udhëtarëve, që do të thotë se çdo rritje e kostos së tyre transferohet pothuajse menjëherë te kompanitë e logjistikës dhe shpërndarjes. Ky shtrenjtim i transportit rrit automatikisht koston e çdo produkti tjetër të importuar ose të prodhuar në vend, që nga produktet bazë ushqimore e deri te materialet e ndërtimit, duke u bere shkak për një valë të re inflacioniste.

prill,

Përtej transportit, sektori industrial dhe ai i prodhimit vendas, i cili mbështetet te lëndët djegëse minerale, do të përballet me rritje të kostove të prodhimit. Në skenarin më të mundshëm kostot transferohen te qytetarët, duke bërë që fuqia blerëse e familjeve shqiptare do të pësojë një rënie dhe konsumi te tkurret. /B.H. Monitor

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top