Tre persona humbën jetën pas një sulmi me armë zjarri në Qendrën Islamike të San Diegos, xhamia më e madhe e qytetit, ndërsa autoritetet amerikane po e hetojnë ngjarjen si një krim urrejtjeje.
Sipas policisë, tre burrat u vranë nga dy adoleshentë të moshës 17 dhe 18 vjeç, të cilët po ashtu u gjetën të vdekur brenda një automjeti pranë xhamisë, ndërsa hetuesit dyshojnë se pas sulmit ata janë vetëvrarë me armë zjarri.
Shefi i Policisë së San Diegos, Scott Wahl, deklaroi se ngjarja nisi të merrte përmasa alarmante që në orët e paradites, kur nëna e njërit prej adoleshentëve raportoi zhdukjen e djalit të saj, mungesën e automjetit dhe të disa armëve nga shtëpia. Sipas saj, i riu kishte shfaqur tendenca vetëvrasëse dhe ishte larguar me një person tjetër, të dy të veshur me uniforma kamuflazhi.
Rreth orës 11:43, policia mori njoftimin për të shtëna aktive në Qendrën Islamike. Katër minuta më vonë, oficerët mbërritën në vendngjarje dhe gjetën tre viktima të pajeta jashtë xhamisë, ndërsa nisën kontrollin e ndërtesës dhe shkollës ngjitur në kërkim të autorëve.
Një nga viktimat ishte roja e sigurisë së xhamisë, i cili sipas autoriteteve dhe familjarëve u përpoq të mbronte besimtarët dhe fëmijët që ndodheshin brenda objektit. Miku i tij, Sam Hamideh, tha se ai ishte baba i tetë fëmijëve dhe “sakrifikoi jetën për të shpëtuar të tjerët”.
“Është e drejtë të thuhet se veprimet e tij ishin heroike”, tha shefi i policisë së San Diegos, Scott Wahl, në një konferencë për shtyp. “Pa dyshim, ai shpëtoi jetë sot.”
Gjatë hetimeve, policia zbuloi se në njërën prej armëve ishte shkruar gjuhë urrejtjeje, ndërsa pranë të dyshuarve u gjet edhe një shënim vetëvrasjeje me përmbajtje raciste. Autoritetet thanë se nuk kishte kërcënime specifike ndaj xhamisë, por mesazhet përmbanin retorikë të përgjithshme urrejtjeje.
FBI-ja është përfshirë në hetim, ndërsa agjentët federalë po analizojnë provat, kamerat e sigurisë dhe komunikimet e të dyshuarve për të përcaktuar motivin e plotë të sulmit.
Njëri nga autorët e dyshuar, i identifikuar si Cain Clark, kishte qenë pjesë e ekipit të mundjes në Shkollën e Mesme Madison dhe ndiqte një program shkollimi online. Familjarët e tij thanë për mediat amerikane se ishin të tronditur nga ajo që kishte ndodhur dhe e përshkruan si “një fëmijë të mirë”.
Pas ngjarjes, anëtarë të komunitetit mysliman dhe banorë të zonës Clairemont u mblodhën pranë xhamisë për të nderuar viktimat dhe për të shprehur solidaritet me familjet e tyre.