Vendimi i Apelit të Posaçëm që kthente në burg për 6 muaj të tjera ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ende nuk është ekzekutuar nga ana e policisë.
Strukturat e rëndit kanë shkuar në banesën e Lefter Kokës, për të zbatuar vendimin e gjykatës, por ish-ministri nuk është gjendur.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se, Lefter Koka, është larguar jashtë shtetit dhe për pasojë nuk mund të ekzekutohet vendimi brenda Shqipërisë, ndaj ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Apeli i GJKKO-së la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar, për shpërdorim detyre ndaj Kokës, por ndryshoi pikën për shuarjen e masës “arrest në burg”.
Sipas përllogaritjeve, Kokës i kanë mbetur edhe 6 muaj për të vuajtur nga dënimi lidhur me inceneratorin e Tiranës./Syri.net