Një objekt banimi dhe shërbimi në rrugën “Llukë Kaçaj”, në Njësinë Administrative nr. 4 në Tiranë, është konfiskuar për interes publik pas konstaktimit të shkeljeve të rënda ligjore në ndërtim dhe përdorim. Sipas njoftimit zyrtar, aksioni u zhvillua nga strukturat e Policia e Shtetit dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Monitorimit dhe Zbatueshmërisë së Lejeve të Ndërtimit pranë Bashkisë Tiranë.
Nga verifikimet rezultoi se objekti ishte ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit, konkretisht me shtimin e kateve të 10-të dhe të 11-të në një pallat të miratuar si 9-katësh, si dhe me ndërtimin e një pjese të katit të 12-të. Autoritetet konstatuan gjithashtu se godina ishte vënë në shfrytëzim pa certifikatë përdorimi.
Bëhet fjalë për një pallat që nuk ka përfunduar akoma plotësisht, dhe deri tani askush nuk banon në të. Gazetarja Xhensila Kodra raporton për BalkanWeb se ndërtimi është nisur fillimisht nga Mirsim Jellla, i cili sipas burimeve nuk ka mundur ta përfundojë për çështje financash, dhe ka vijuar nga Adriatik Shtëmbari. Katet pa leje janë zbuluar nga kontrollet e përbashkëta mes policisë dhe IMT-së.