Çmimet e naftës bruto u rritën ndjeshëm ndërsa tregjet po largohen gjithnjë e më shumë nga mundësia e një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që mund të ulte tensionet dhe të çonte në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Nafta Brent u rrit me 3.4%, duke arritur në 107.77 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u ngjit me 4.2% në 102.18 dollarë për fuçi, duke kaluar sërish pragun psikologjik prej 100 dollarësh.
Rritja e çmimeve erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, hodhi poshtë kundërpropozimin e Teheranit për t’i dhënë fund konfliktit. Trump e cilësoi ofertën iraniane si “të pakuptimtë”.
“Jemi në një bllokim, në një konflikt të ngrirë”, deklaroi për CNBC Amos Hochstein, ish-këshilltar i lartë për energjinë i presidentit Joe Biden.
Sipas tij, Ngushtica e Hormuzit vazhdon të mbetet e mbyllur, duke krijuar një situatë që ai e përshkroi si “pa luftë, pa naftë, pa transport detar”. Hochstein paralajmëroi se është shumë e vështirë të ketë përparim këtë javë, pas takimit Trump- Xi Jinping.