Kryeministri Edi Rama, së bashku me negociatoren për Kapitullin 5 të integrimit europian, Reida Kashta, në një konferencë për mediat të dhëna folën mbi prokurimet publike në Shqipëri.
Rama theksoi se Shqipëria ka më pak kontrata me një ofertues të vetëm krahasuar me mesataren e BE-së dhe madje edhe me vende si Gjermania apo Suedia.
Rama me deklarata që bien ndesh me të dhënat zyrtare të publikuara nga Open Data Albania dhe raportet e mëparshme të Agjencisë së Prokurimit Publik tha se progresi i Shqipërisë në këtë sektor vlerësohet objektivisht edhe nga partnerët europianë.
Edi Rama: “Nëse e vendosim në kontekst pozicionin e vendit tonë në indikatorët kryesorë që përcakton BE për konkurrueshmërinë, po të shohim tabelën, nëse në mesatare kontratat me një ofertues të vetëm janë 32.3% të kontratave në vendet e BE-së, për Shqipërinë ato janë në masën 23.3%.
Nëse në listën e vendeve anëtare ka shumë vende që fillojnë nga 57% e zbresin deri në 38%, Shqipëria është midis tyre dhe vendeve si Suedia apo Gjermania. Vendi ynë është mbi këto, me shumë pak pra, 23.5%.
Edhe në numrin e ofertuesve për procedura, që raporti e përcakton si 3.2 ofertues, Shqipëria është me 3.7 ofertues mesatarisht dhe më tutje në Shqipëri, në vitin 2025, numri i prokurimeve publike që janë mbyllur me fitues dhe kanë pasur vetëm një ofertues është 12%, ndërkohë që mesatarja e BE-së është 14%.
Të gjitha këto nuk thonë asgjë më shumë e asgjë më pak se fakti që Shqipëria është në një fazë shumë të avancuar të përparimit në këtë fushë dhe, nga ana tjetër, në pozicionin e saj në tryezën e negociatave me BE”.