Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar sërish për rastin e helmimit të 56 studentëve në Akademia e Sigurisë, duke bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e ngjarjes vijojnë. Sipas AKU-së, pas marrjes së mostrave të ushqimeve të furnizuara nga kompania Sori-Al, është kryer edhe kampionimi i ujit të rrjetit, i cili do t’i nënshtrohet analizave mikrobiologjike.
Institucioni sqaron se, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, po vijojnë verifikimet për të identifikuar burimin e dyshuar të infeksionit. Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik ka marrë mostra edhe për testimin e higjienës në ambientet ku përgatitej ushqimi. AKU bëri të ditur se rezultatet e analizave laboratorike dhe raporti epidemiologjik pritet të përcaktojnë shkakun e helmimit dhe masat që do të ndërmerren më tej.