Amendamentet e PS për ndryshimet në Kodin Rrugor: Kur hiqet patenta përgjithmonë

Është zbardhur amendamenti i Partisë Socialiste për ndryshimet në Kodin Rrugor. Ndryshimet janë propozuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputeti i PS, Erion Braçe.

Një nga pikat më të forta të paketës së ndryshimeve lidhet me drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit. Sipas propozimit, shoferëve që kapen përsëritës duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, me nivel alkooli mbi 0.5 g/l në gjak, do t’u hiqet patenta përgjithmonë.

Ndryshimet parashikojnë po ashtu se drejtimi i mjetit pa leje do të sjellë jo vetëm përgjegjësi penale, por edhe shtyrje me 1 deri në 2 vite të së drejtës për t’u pajisur me patentë, sidomos për të miturit.

Ndryshimet prekin edhe përdorimin e telefonit gjatë drejtimit, duke e ndaluar edhe për biçikleta, motomjete dhe monopatina elektrike.

Amendamentet e PS ( E plotë)

Mbështetur në nenin 75, pika 4, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, propozoj që në projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, të bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë:

Para nenit 4 të projektligjit shtohen nenet 4, 5, 6 dhe 7 me këtë përmbajtje, ndërsa neni 4 i projektligjit rinumërohet si neni 8

Neni 4

Në nenin 115/1, pas pikës 10 shtohet pika 10.1 me përmbajtjen si më poshtë:

“10.1 Drejtuesit të mjetit, i cili konstatohet duke drejtuar mjetin pa qenë i pajisur me leje drejtimi, përveç përgjegjësisë sipas legjislacionit penal në fuqi, i shtyhet për një periudhë prej 1 (një) viti e drejta për t’u pajisur me leje drejtimi pranë sistemit të autoshkollave, si masë administrative ndëshkuese.

Kur drejtuesi i mjetit është i mitur, afati për t’u pajisur me leje drejtimi pranë sistemit të autoshkollave shtyhet për një periudhë 2 (dy)-vjeçare nga momenti kur i lind kjo e drejtë sipas legjislacionit në fuqi.

Organet e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor kujdesen për evidentimin e kundërvajtësve dhe kryerjen e procedurave përkatëse të regjistrimit në sistem.”

Neni 5

Në nenin 117/1, pas pikës 4 shtohet pika 5 me përmbajtjen si më poshtë:

“5. Drejtuesit e mjeteve, të cilët janë pajisur me leje drejtimi të kategorisë ‘B’ brenda 24 (njëzet e katër) muajve të fundit, i nënshtrohen këtyre kufizimeve të posaçme:

a) kufiri i lejuar i alkoolit në gjak është 0.0‰;

b) shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/orë në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore, si dhe 80 km/orë jashtë qendrave të banuara;

c) ndalohet drejtimi i mjetit nga ora 24:00 deri në orën 06:00 pa praninë e një drejtuesi shoqërues, i pajisur me leje drejtimi prej të paktën 3 (tre) vjetësh;

ç) mosrespektimi i kufizimeve të përcaktuara në këtë pikë dënohet me gjobë administrative nga 5 000 (pesë mijë) lekë deri në 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë, si dhe merret masa plotësuese e pezullimit të lejes së drejtimit për 1 (një) muaj dhe heqja e pikëve sipas përcaktimeve të akteve nënligjore në fuqi;

d) pas përfundimit të periudhës së provës prej 24 (njëzet e katër) muajsh pa shkelje, kufizimet hiqen automatikisht. Për drejtuesit e mjeteve, të cilët gjatë një viti konstatohet se kanë kryer dy shkelje të normave të sjelljes ose të kufizimeve të përcaktuara në këtë pikë, si dhe u janë hequr të paktën 10 (dhjetë) pikë, periudha e kufizimeve zgjatet edhe me 1 (një) vit.”

Neni 6

Në nenin 127, pika 3.1, bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “shkelur.” hiqet fjalia “I njëjti rregull aplikohet edhe për lejet e drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar në rastin kur kundërvajtësi jep pëlqimin.”

Neni 7

Në nenin 139 bëhen këto ndryshime:

Në pikën 5, pas togfjalëshit “shpejtësi” shtohen fjalët “duke sjellë rrezik serioz për përdoruesit e rrugës, sidomos në zonat urbane, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet jo sociale në rrugë”.

Në pikën 7 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “tërheqëse” hiqen fjalët “të barrës dhe të shalës”.

Në pikën 8 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Masa e gjobës “nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë” bëhet “nga njëzet mijë deri në gjashtëdhjetë mijë lekë”.

Para nenit 5 të projektligjit shtohen nenet 9 dhe 10 me këtë përmbajtje, ndërsa neni 5 rinumërohet neni 11:

Neni 9

Titulli i nenit 171 ndryshohet nga “Përdorimi i syzeve optike dhe i aparateve të tjera gjatë drejtimit të mjetit” në “Përdorimi i aparateve telefonike dhe i pajisjeve digjitale të komunikimit, i syzeve optike dhe i pajisjeve të tjera gjatë drejtimit të mjetit”.

Në nenin 171, pas pikës 2 shtohen pikat 2.1 dhe 2.2 me këtë përmbajtje:

“2.1 Ndalohet gjithashtu përdorimi i telefonit celular të mbajtur me dorë gjatë drejtimit të mjeteve të tjera, përfshirë biçikletat, motomjetet deri në 50 cc dhe monopatinat me motor.

2.2 Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit, të cilit gjatë lëshimit ose rinovimit të lejedrejtimit i është vendosur kushti për korrigjimin e të metave organike ose të aftësive të ulëta anatomike a funksionale nëpërmjet syzeve optike ose aparateve të tjera të caktuara, është i detyruar t’i përdorë ato gjatë drejtimit të mjetit.”

Në pikën 4, pas togfjalëshit “neni”, fjalët “tre herë brenda të njëjtit vit” zëvendësohen me fjalët “dy herë brenda të njëjtit vit”.

Neni 10

Në nenin 184, pas pikës 11 shtohet pika 11.1 me këtë përmbajtje:

“11.1 Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat e këtij neni rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjakun e drejtuesit të mjetit dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, në rast përsëritjeje merret masa e heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë.”

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top