Përkeqësimi i kushteve të motit në Gjirin e Vlorës ka sjellë pezullimin e lundrimit për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit gjatë kësaj të premteje. Sipas autoriteteve detare, prej orës 08:00 priten erëra të forta jug-juglindje me forcë deri në 6-7 ballë, shpejtësi 15-20 metra në sekondë dhe dallgë deri në 2.5 metra të larta në det të hapur.
Për këtë arsye, është ndaluar pajisja me leje nisjeje për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, masë që do të mbetet në fuqi deri në orën 22:00.
Autoritetet u kanë kërkuar subjekteve detare të marrin masa sigurie për ankorimin e mjeteve dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve, ndërsa anijet e transportit ndërkombëtar do të vijojnë lundrimin normalisht. Sipas parashikimeve, përmirësimi i kushteve të motit pritet në orët e vona të mbrëmjes.