Paqartësi për Ngushticën e Hormuzit, Trump pezullon sigurimin e anijeve

Një përpjekje e saponisur nga SHBA për të shoqëruar anijet tregtare në ngushticën e Hormuzit është pezulluar përkohësisht, njoftoi të martën presidenti Donald Trump.

Presidenti deklaroi në një postim në rrjetet sociale se mjetet shoqëruese do të “pezullohen për një periudhë të shkurtër”, ndërsa SHBA dhe aleatët e saj përpiqen të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Iranin.

Postimi i tij erdhi vetëm pak ditë pasi vetë Trump kishte shpallur nisjen e mjeteve shoqëruese dhe vetëm disa orë pasi sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth kishin mbështetur publikisht misionin ushtarak në deklarata të ndara për mediat.

Njoftimi i papritur i Trump për vendosjen në pritje të “Project Freedom” është shembulli më i fundit i mënyrës se si presidenti shpesh i përmbys publikisht deklaratat e zyrtarëve të lartë të administratës së tij përmes postimeve në rrjetet sociale.

Trump kishte njoftuar të dielën se forcat amerikane do të ndihmonin anijet e vendeve neutrale duke i shoqëruar nëpër ngushticë për t’i mbrojtur nga zjarri armiqësor, ndërsa SHBA vazhdonte bllokadën ndaj porteve iraniane.

Irani ka kërkuar heqjen e bllokadës përpara se të negociojë përfundimin e programit të tij bërthamor.

Presidenti nuk sqaroi se çfarë do të thotë ky zhvillim për operacionet e marinës amerikane në rajon, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment. Pentagoni ia delegoi komentet Komandës Qendrore Amerikane, CENTCOM, e cila gjithashtu nuk dha një përgjigje të menjëhershme.

Vetëm pak orë më herët, Rubio u kishte thënë gazetarëve në një konferencë për shtyp se Trump “kishte ndërhyrë dhe iu ishte përgjigjur thirrjeve për ndihmë” nga aleatët e SHBA për të shpëtuar deri në 23 mijë civilë nga 87 vende të ndryshme që kishin mbetur të bllokuar në këtë rrugë detare.

Trump tha se vendimi ishte marrë pas një kërkese nga Pakistani, një ndërmjetës kyç në bisedimet për paqe mes palëve, si dhe nga vende të tjera.

Ndërkohë, Hegseth deklaroi në një konferencë për shtyp të martën në mëngjes se “Project Freedom” ishte “me natyrë mbrojtëse, i kufizuar në objektiv dhe i përkohshëm në kohëzgjatje”. Ai këmbënguli se përplasja për kontrollin e kësaj pike strategjike detare ishte e ndarë nga objektivat e operacionit më të gjerë amerikan në Iran, të quajtur “Epic Fury”.

SHBA dhe Irani ranë dakord për një armëpushim të përkohshëm muajin e kaluar, por marrëveshja nuk ka sjellë ndalim të plotë të armiqësive. Sipas shefit të Shtabit të Përgjithshëm amerikan, gjeneralit Dan Caine, Irani ka qëlluar nëntë herë ndaj anijeve tregtare dhe është përfshirë më shumë se 10 herë në incidente me forcat amerikane, përveç sekuestrimit të dy anijeve kontejnerike.

Po ashtu, sipas kreut të Komandës Qendrore Amerikane, admiralit Bradley Cooper, SHBA sulmoi të hënën gjashtë mjete të vogla iraniane pasi Teherani kishte vënë në shënjestër anije të marinës amerikane.

Megjithatë, Caine deklaroi se gatishmëria e Iranit për të qëlluar ndaj anijeve nuk përbënte një rifillim të plotë të luftimeve dhe mbetej “nën pragun e rinisjes së operacioneve të mëdha luftarake”.

Trump njoftoi Kongresin javën e kaluar se lufta kishte “përfunduar”, në një kohë kur Shtëpia e Bardhë po përballej me afatin ligjor 60-ditor për të kërkuar autorizim nga Kongresi për përdorimin e forcës ushtarake. Ndërkohë, Hegseth u tha ligjvënësve se administrata besonte se armëpushimi kishte “pezulluar orën” e këtij afati ligjor./Politico.eu

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top