Andrea Butti është sot një nga drejtuesit kyç të Lega Serie A, ku mban rolin e Head of Competitions and Operations, pra përgjegjës për organizimin dhe kalendarizimin e kampionatit. Emri i tij është shfaqur në orët e fundit edhe në kuadër të hetimit mbi sistemin e arbitrave, të koordinuar nga prokurori Maurizio Ascione: ai do të dëgjohet nga hetuesit si “person i informuar për faktet”.
Pse Andrea Butti është thirrur për hetimin mbi arbitrat?
Thirrja e Andrea Butti nga Prokuroria lidhet me rolin e tij operativ brenda Lega Serie A, ku është pika kryesore e kontaktit me designatorin e arbitrave. Si përgjegjës i kompeticioneve, ai menaxhon edhe aspektet organizative dhe logjistike të ndeshjeve, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me strukturën e arbitrimit.
Ndër aktivitetet ku ai ka qenë i përfshirë janë edhe edicionet e Superkupës së Italisë të zhvilluara në Arabinë Saudite, gjatë të cilave merrej me koordinimin me Gianluca Rocchi për procedurat që lidhen me vizat dhe lëvizjet e arbitrave. Një tjetër nyje e rëndësishme është Qendra VAR në Lissone, strukturë në pronësi të Lega-s, që përfaqëson një pikë të mundshme kontakti telefonik mes Butti dhe Rocchi, e dalë në pah gjatë përgjimeve.
Hapet një fazë e re e hetimit
Kështu hapet një fazë e dytë e hetimit të drejtuar nga prokurori Maurizio Ascione, i cili në muajt e fundit ka dëgjuar shumë përfaqësues të botës së arbitrimit dhe tani po zgjeron rrezen edhe tek figura të tjera të Serie A. Në ditët në vijim do të dëgjohen edhe club referee manager të skuadrave të elitës.
Mes emrave nën vëzhgim është edhe Giorgio Schenone, përgjegjës për arbitrat te Inter. Emri i tij është shfaqur tashmë në dosjet e hetimit: në një nga përgjimet përmendet një bisedë mes Rocchi dhe ish-supervizorit VAR Andrea Gervasoni për “Giorgio”, lidhur me disa caktime të ndjeshme.
Kush është Andrea Butti, nga FIGC te Inter e deri te Lega Calcio
I diplomuar në Ekonomi në Bocconi, Andrea Butti i ka hedhur hapat e parë në botën e futbollit duke bashkëpunuar me zyrën e shtypit të FIGC gjatë kualifikueseve për Euro 2004. Pjesa kryesore e karrierës së tij lidhet me Interin, ku ka punuar për më shumë se një dekadë, nga 2002 deri në 2013.

Te zikaltërit ai nisi në sektorin e komunikimit, për të marrë më pas role gjithnjë e më operative: nga menaxhimi i qendrës stërvitore të Appiano Gentile deri te roli i team manager të ekipit të parë mes viteve 2007 dhe 2012. Në ato vite ka bashkëpunuar me trajnerë si Roberto Mancini, José Mourinho, Rafael Benítez, Leonardo, Gian Piero Gasperini, Claudio Ranieri dhe Andrea Stramaccioni, duke qenë protagonist edhe në sezonin e Tripletës 2010.
Sot, në rolin e tij në Lega, është ndër arkitektët kryesorë të ndërtimit të kalendarëve dhe menaxhimit operacional të Serie A, çka e bën pozicionin e tij të rëndësishëm edhe në kuadër të hetimeve në vazhdim mbi çështjen e arbitrave.