Shqiptarët online, por shumë pas në aftësi digjitale

Shqipëria po shënon një rritje të qëndrueshme në përdorimin e internetit, por vijon të përballet me sfida serioze në zhvillimin e aftësive digjitale të popullsisë.

Gjatë vitit 2025, rreth 86.1% e qytetarëve kanë përdorur rregullisht internetin, duke iu afruar mesatares së vendeve të rajonit, por ende nën nivelin e vendeve të Bashkimit Europian. Rritja e aksesit po reflektohet edhe në sektorin privat, ku një pjesë gjithnjë e më e madhe e ndërmarrjeve po investon në trajnime për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.

Megjithatë, pavarësisht përmirësimit të infrastrukturës dhe përdorimit të rrjetit, niveli i aftësive digjitale mbetet i ulët. Vetëm 23.3% e popullsisë zotëron aftësi bazë, një diferencë e ndjeshme krahasuar me mesataren europiane. Situata bëhet edhe më sfiduese kur bëhet fjalë për aftësi më të avancuara dhe për numrin e specialistëve të teknologjisë, i cili mbetet shumë i kufizuar.

Punonjësit e fushës së teknologjisë përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të forcës së punës në vend, shumë më pak se në rajon dhe në Europë.

Kjo lidhet jo vetëm me mungesën e përgatitjes së mjaftueshme, por edhe me largimin e profesionistëve drejt tregjeve të huaja apo angazhimin e tyre në forma pune që nuk pasqyrohen në statistikat zyrtare.

Në të njëjtën kohë, sistemi arsimor dhe programet e formimit profesional nuk po ecin me ritmin e zhvillimeve teknologjike globale, duke krijuar një boshllëk midis kërkesës së tregut dhe aftësive që ofron fuqia punëtore. Si rezultat, procesi i digjitalizimit të bizneseve përballet me vështirësi, për shkak të mungesës së ekspertizës së nevojshme. /monitor

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top