Telefonata në Bruksel/Kapitujt e negociatave mund të mos mbyllen deri në fund të 2026

Komisioni Evropian dhe vendet anëtare nuk po arrijnë të shkojnë drejt një kompromisi të domosdoshëm për t’i hapur rrugë mbylljes së kapitujve të negociatave që kanë si qëllim anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Duke qenë se disa anëtarë të 27-shes, nuk bien dakord të miratojnë raportin IBAR, që përfshin respektimin e standarteve për funksionimin e shtetit ligjor dhe pavarësisë së gjyqësorit, qeveria Rama po mundohet të lëvizë të gjithë gurët për të zhbllokuar atë që në Tiranë nuk pranohet zyrtarisht, ngecjen apo ngrirjen e procesit në disa fusha por kryesisht për pengim të punës së drejtësisë në rastin Balluku. Në këtë kuadër, kryenegociatorja shqiptare, Majlinda Dhuka, i ka bërë një telefonatë përfaqësueses së presidencës qipriote, Marilena Raouna, për të diskutuar hapat e mëtejshëm në kushtet kur disa shtete anëtare të BE-së po mbajnë pezull miratimin e raportit IBAR.

Raporti për vendin tonë kishte identifikuar rreth 92 piketa ose “boshllëqe” që duhen plotësuar si detyra për të avancuar më tej në procesin e integrimit evropian.

Shqipëria duket se është distancuar edhe nga Mali i Zi në rrugën drejt BE-së. Podgorica mori gjatë muajit mars aprovimin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për hartimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi, çka shënon hyrjen në një fazë të pakthyeshme të procesit të zgjerimit. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos e cilësoi përparimin e Malit të Zi si “një hap të madh në rrugën drejt anëtarësimit”, ndërsa Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e përforcoi këtë mesazh politik, duke theksuar se “për herë të parë që nga viti 2013, Bashkimi Europian nis matjen e kohës për zgjerimin e radhës”.

Bashkimi Europian i hap dyert Malit të Zi, Shqipëria ende në pritje të IBAR

Por vendi ynë duket se po i largohet objektivit të 2030, të shpallur nga kryeministri Rama gjatë fushatës së fundit elektorale. Gjatë muajit prill, Lapsi.al ka raportuar për 9 vende anëtare të Bashkimit Europian që kanë ngritur shqetësime në lidhje me disa çështje që kanë vënë në pikëpyetje avancimin e vendit tonë me negociatat. Në takimin e 1 prillit të grupit të COELA, përfaqësuesit e Gjermanisë, Luksemburgut, Holandës, Suedisë, Austrisë, Finlandës, Polonisë, Greqisë dhe Bullgarisë ishin ata që shprehën rezerva për reformat në Shqipëri. Të njëjtat burime sqaruan se arsyet e dhëna prej këtyre vendeve ishin të ndryshme.

Përveç Gjermanisë dhe Holandës, që ishin të shqetësuara për efektet e rastit Balluku, Polonia ishte kritike për klimën e biznesit, Greqia për të drejtat e pronësisë dhe pakicat kombëtare, Bullgaria për pakicat, Austria për çështje konkrete si IPARD-i etj. Ndonëse gjatë këtij muaji disa vende kanë bërë disa hapa pozitivë përpara, ngecja e procesit mbetet e njëjtë. Për këtë arsye Konferenca Ndërqeveritare mes Tiranës dhe Komisionit Evropian, që ishte parashikuar të mbahej në muajin prill për të nisur me mbylljen e kapitujve të parë, u shty nga presidenca qipriote për shkak të mungesës së konsensusit mes vendeve anëtare të BE-së për miratimin e raportit IBAR.

Pikërisht ky fakt, i konsiderur si vendnumëro, ishte edhe temë e bisedës telefonike mes kryenegociatores Dhuka dhe përfaqësueses së presidencës qipriote Marilena Raouna, e cila përveç pozicionit që mban përkohësisht është edhe një njohëse e mirë e korridoreve të Brukselit, ku ka punuar për shumë vite duke qenë edhe bashkëpresidente e grupit COELA për zgjerimin e unionit.

Bilanci i 6 muajve/ Çfarë humbi Rama për të mbrojtur Belinda Ballukun

Por burime diplomatike në Bruksel thanë për Lapsi.al se ka mundësi reale që proçesi i mosmiratimit të raportit të zgjatet deri në fund të vitit 2026, pavarësisht se ky nuk është skenari i dëshiruar nga Shqipëria. Sipas burimeve diplomatike, qëndrimi i qeverisë Rama ndaj hetimit të SPAK-ut për ish- zëvendëskryeministren Belinda Balluku është parë nga disa vende kryesore anëtare të BE-së si një sinjal negativ për pavarësinë e drejtësisë, duke sjellë një pengesë serioze në bisedimet brenda grupit COELA për t’i dhënë dritën jeshile raportit të ndërmjetëm.

E njëjta linjë politike u pa këtë të martë edhe në Raportin e fundit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, ku rasti Balluku nuk përmendej nominalisht po ku kritikoheshin veprimet për pengimin e drejtësisë dhe ku gjendeshin shprehimisht fraza si: “Shqipëria duhet të… konsolidojë historikun e saj të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, ose: “gjyqësori vazhdon të përballet me presione dhe kërcënime politike që rrezikojnë të dëmtojnë pavarësinë gjyqësore”.

Raporti i Parlamentit Europian: Imuniteti nuk mund të kthehet në mburojë politike

Aktualisht ka një përpjekje intensive diplomatike që IBAR-i të miratohet brenda muajit maj ose qershor, për të shmangur pikërisht shtyrjen e vendimarrjes deri në fund të vitit.

Por pavarësisht nga këto sinjale që vijnë nga Brukseli, Kryeministri Rama e ka hedhur gjithmonë poshtë bllokimin e rrugës së anëtarësimit. Qëndrimi i tij ka qenë se “së shpejti, siç kemi pasur në procesin e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë”- u shpreh ai gjatë një monologu në podcastin Flasim rreth një muaj më parë. Edhe shefi i diplomacisë, Ferid Hoxha, e ka mohuar publikisht bllokimin apo ngadalësimin e procesit. Ai, mosmiratimin e raportit IBAR, e ka paraqitur si një dialog me pyetje- përgjigje mes Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare duke hedhur dorashkën e sfidës: “Më gjeni një nga ato vende që thoni se na kanë bllokuar, shkoni dhe pyetini dhe merrni përgjigje nëse e kanë bërë apo jo”.

Në fakt, ashtu sikurse pyet në mënyrë manipulative shefi ynë i diplomacisë, asnjë vend nuk ka thënë publikisht se i ka ndërprerë, i ka ngrirë, apo bllokuar negociatat me Shqipërinë. Duke përdoruar si kërkesë më të fortë mospengimin e SPAK-ut për Ballukun, por edhe shqetësime të tjera si të drejtën e pronës, apo klimën e biznesit, ato thjeshtë nuk kanë qenë në një mendje me qeverinë e BE-së (Komisionin) për t’i mundësuar Shqipërisë mbylljen e kapitujve të parë të negociatave.

Askush nga vendet që nuk kanë pranuar ta miratojnë raportin IBAR, nuk do e bëjnë një deklaratë të tillë. Por ama, sjellja e tyre rrezikon të mbetet e pandryshueshme deri në fund të këtij viti. Ndonëse një mbledhje tjetër është parashikuar në 12 maj, ato rrezikojnë të mos e miratojnë raportin e Komisionit Evropian, për sa kohë Balluku i shmanget drejtësisë, duke lënë kështu të pambyllura të gjithë kapitujt e negociatave.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top