Një tragjedi ka ndodhur në Kinë, ku si pasojë 21 persona kanë humbur jetën dhe 61 të tjerë janë plagosur. Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një fabrikë fishekzjarrësh në provincën Hunan të Kinës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:40 në qytetin Liuyang, në fabrikën Huasheng Fireworks. Si masë sigurie, ekipet e emergjencës evakuuan të gjithë banorët brenda një rrezeje prej 3 kilometrash nga zona e shpërthimit.
Autoritetet angazhuan rreth 500 punonjës për operacionet e kërkim-shpëtimit dhe trajtimin e të plagosurve, ndërsa u përdorën edhe robotë për të lokalizuar personat e bllokuar brenda ndërtesës. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e shpërthimit dhe ka marrë masa ndaj personit përgjegjës të kompanisë, raportojnë mediat shtetërore kineze.
Sipas autoriteteve, dy depo me barut brenda kompleksit të fabrikës paraqisnin rrezik të lartë gjatë operacioneve të shpëtimit. Për të shmangur incidente të tjera, ekipet ndërhynë duke lagështuar zonën përreth. Shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke thyer edhe xhamat e ndërtesave të banimit pranë fabrikës.
Liuyang konsiderohet qendra e industrisë së fishekzjarrëve në Kinë , pasi shumë nga kompanitë prodhuese ndodhen atje. Presidenti kinez Xi Jinping ka urdhëruar që të bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur punëtorët e zhdukur dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ata që janë përgjegjës për katastrofën.