Të paktën 2 persona kanë humbur jetën dhe 20 të tjerë mbetën të plagosur pasi një shofer me një SUV u përplas me një turmë në qendër të Leipzigut në Gjermaninë lindore. Lajmi u konfirmua nga kryebashkiaku i qytetit.
“Policia ka arrestuar sulmuesin e dyshuar” – tha Burkhard Jung duke shtuar se autoritetet e kishin marrë nën kontroll vendin e ngjarjes. “Ende nuk e dimë motivin. Nuk dimë asgjë për autorin e ngjarjes.”

Punonjësit e shërbimeve të emergjencës thanë se incidenti ndodhi rreth orës 4:45 të pasdites së hënës. Zona kishte qenë plot me blerës dhe klientë të kafeneve në një pasdite të ngrohtë pranvere. Rreth 40 zjarrfikës dhe 40 ndihmës mjekësorë shkuan në vendngjarje, si dhe dy helikopterë.

Fotografitë treguan xhamin e përparmë të automjetit të thyer dhe kapakun e motorit të dëmtuar. Dëshmitarët thanë se makina u ndal nga një nga shtyllat që mbronin zonën. Jung, i cili mbërriti menjëherë pas incidentit në vendngjarje, u kërkoi kalimtarëve të shkonin në shtëpi.
Dyqanet në zonë u urdhëruan të mbylleshin dhe trupa të mbuluar me çarçafë u panë në trotuar. Policia ngriti një kordon për të penguar kalimtarët.

Gjermania ka pasur një seri incidentesh me përplasje makinash vitet e fundit. Vitin e kaluar,
2 persona u vranë në qytetin perëndimor të Mannheimit, kur një 40-vjeçar gjerman përplasi makinën drejt një grupi këmbësorësh. Disa javë më parë një sulm i ngjashëm ndodhi nga një azilkërkues afgan në një demonstratë sindikale në Mynih, duke vrarë 2 persona dhe duke plagosur më shumë se 40, përfshirë disa fëmijë.

Në dhjetor 2024, disa persona u vranë në një sulm me makinë nga një mjek saudit në një treg Krishtlindjesh në qytetin lindor të Magdeburgut. Ky incident ndodhi disa muaj pas një sulmi me thikë nga një burrë sirian në një festival në qytetin perëndimor të Solingen.