Burnley ka rënë nga kategoria. Klubi anglez, që sezonin e kaluar ishte rikthyer në Premier League, do ta mbyllë kampionatin në vendin e parafundit. Pak ditë pas rënies matematikore, Burnley ka vendosur të shkarkojë teknikun Scott Parker. Një largim i papritur, pasi nga fundi i kampionatit mungojnë vetëm katër ndeshje. Në pritje të zgjedhjes së trajnerit të ri, Burnley ka emëruar si trajner të përkohshëm Michael Jackson dhe në rrjetet sociale Clarets janë bërë viralë.
Parker i shkarkuar nga Burnley pas rënies nga kategoria
Parker sezonin e kaluar kishte arritur promovimin e tretë në Premier League si trajner, ndërsa këtë vit me një skuadër jo shumë konkurruese ka fituar vetëm 4 ndeshje dhe përfundoi duke rënë në Championship. Nuk e ndihmoi aspak nënshkrimi me sulmuesin e Kombëtares kuqezi Armando Broja nga Chelsea, që pothuaj nuk kontribuoi farë në skuadër, me performanca të dobëta. Kështu, largim i menjëhershëm i Parker, pa pritur pë të vazhduar punën në katër javët e fundit.
Në vend të tij vjen Michael Jackson
Largimi u konfirmua me këtë komunikatë: “Scott Parker ka lënë rolin e trajnerit të Burnley Football Club me marrëveshje të përbashkët. Pas konfirmimit të rënies nga Premier League javën e kaluar, Parker dhe drejtuesit zhvilluan bisedime dhe vendosën së bashku që eksperienca e tij në Turf Moor të përfundonte. Klubi dëshiron të shprehë falënderimet e sinqerta për Scott për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e tij. Ai largohet me respektin dhe mirënjohjen e të gjithëve që janë të lidhur me Burnley Football Club. Michael Jackson, i mbështetur nga stafi teknik ekzistues, do të drejtojë përkohësisht Clarets në katër ndeshjet e mbetura të Premier League, duke nisur nga sfida e së premtes në transfertë kundër Leeds United”.
Karriera e Michael Jackson
Parker largohet, ndërsa kërkohet një trajner i ri për sezonin e ardhshëm – përmenden emrat e dy ish-futbollistëve të mëdhenj si Steven Gerrard dhe Craig Bellamy – por për momentin në pankinën e Burnley do të ulet Michael Jackson. Është e qartë që ky emër dhe mbiemër të kujton vetëm një nga këngëtarët më të famshëm në histori. Rrjeti dhe rrjetet sociale kanë bërë ironi, në fakt të lehtë, për Michael Jackson si trajner i ri i Burnley. Jackson është një ish-futbollist, jo i nivelit shumë të lartë, që nga viti 2022 është pjesë e familjes së Burnley, ku edhe katër vite më parë kishte drejtuar skuadrën në fund të sezonit si trajner i përkohshëm.