Muaji qershor sjell një tjetër provë të rëndësishme për Kombëtaren, që do të zbresë në fushë për dy ndeshje miqësore në stadiumin “Air Albania”. Pas konfirmimit të një përballje me Luksemburgun, datat e lira të FIFA-s për muajin, kompletohen nga Izraeli, që ka pranuar sfidën miqësore me kuqezinjtë, që deri në atë kohë duhet të kenë zgjidhur edhe dilemën e trajnerit që do të udhëheqë Kombëtaren në fushatën kualifikuese të Nations League dhe Euro 2028.
Izraeli do të jetë kundërshtari me të cilin kuqezinjtë do të përballen më 3 qershor, në orën 20:00, në atë që do të jetë testi i parë i muajit. Kjo do të jetë përballja e 7-të në histori mes dy përfaqësueseve dhe e para miqësore, pasi të gjitha takimet e mëparshme janë zhvilluar në kuadër të kualifikueseve të Kampionateve Botërore dhe Europiane.

Precedentët
Sa i përket bilancit të ndeshjeve, kuqezinjtë kanë fituar dy nga përballjet dhe kanë humbur katër. Historiku i përballjeve mes dy kombëtareve ka nisur në fushatën kualifikuese të Kupës së Botës, menjëherë pasi Shqipëria kishte marrë pjesë në Europianin e saj të parë në Francë 2016. Izraeli e nisi me fitoren 3-0 në Tiranë, por mori të njëjtën monedhë nga skuadra e teknikut Gianni De Biasi në shtëpi.
Tre përballjet e tjera janë zhvilluar në Nation League: nisi me fitoren e kuqezinjve në shtator 2018 dhe prej aty janë tre fitore radhazi të izraelitëve. Ndërkohë, më 6 qershor, po në orën 20:00, Shqipëria do të zhvillojë një tjetër miqësore ndaj Luksemburgut, sërish në “Air Albania”.
