Kosova në zgjedhje/ Zbret në terren konflikti mes Albinit dhe Vjosës

Pas dështimit për të zgjedhur presidentin e ri, Kosova po hyn në një cikël të ri zgjedhor që duhet të zhvillohet brenda 45 ditësh, sipas vendimit të Gjykata Kushtetuese. Në pamje të parë, kriza ngjan me një tjetër bllokadë politike mes shumicës dhe opozitës, por në qendër të krizës është konflikti tashmë i hapur mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanin, binomit që deri dje ishte në themel të qeverisjes së Vetëvendosjes.

Duket se nën euforinë e rezultatit të zgjedhjeve të kaluara, Albin Kurti gaboi me llogaritë që bëri me Vjosa Osmanin, kandidaturën e së cilës e përjashtoi kategorikisht në fillim të procesit. Dhe sa më shumë kalonin afatet kushtetuese, aq më e qartë bëhej se ky akt ishte një dhuratë për opozitën e Kosovës, që e pa krizën si një mundësi për ta sfiduar edhe një herë mazhorancën me zgjedhje të reja.

Albin Kurti shpërndan parlamentin me duartrokitje
Albin Kurti shpërndan parlamentin me duartrokitje

Para se të largohej nga posti i presidentes, Vjosa Osmani kishte treguar se si “prapa shpinës” së saj “punohej me shumë kandidatë të tjerë” pa i thënë se si Vetëvendosje do ta refuzonte një mandat të dytë të saj. Në ndërkohë, Osmani kishte punuar me deputetë të opozitës dhe kishte marrë premtimin se do t’i bënte 80 votat e domosdoshme në kuvend. “Rizgjedhja ime si presidente do të nënkuptonte edhe vazhdimin e qeverisë, vazhdimin e sigurt, pa asnjë pengesë” deklaronte Osmani, që pas refuzimit të Kurtit, shpërndau menjëherë parlamentin me një dekret, që u shpërfill nga mazhoranca.

Por Kushtetuta e Kosovës është ndërtuar në mënyrë që presidenti të mos jetë produkt i një shumice të thjeshtë, por i një balancimi më të gjerë politik: duhen 80 deputetë në sallë për të nisur votimi dhe një shumicë e cilësuar për ta zgjedhur. Kjo i jep opozitës një instrument bllokues të fortë, bojkotin.

Afati përfundimtar u vendos nga Gjykata Kushtetuese, që i dha Kuvendit kohë deri më 28 prill. Kjo e ktheu procesin në një garë me kohën, ku çdo ditë pa marrëveshje e afronte vendin me zgjedhjet.

Në dy ditët vendimtare, 27 dhe 28 prill, shumica ndryshoi disa herë kandidatët, duke tërhequr fillimisht emrat e Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe duke propozuar më pas Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Por këto lëvizje u panë nga opozita si improvizime taktike dhe jo si përpjekje reale për konsensus.

Rezultati ishte i parashikueshëm: opozita, përfshirë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, bojkotoi çdo seancë. Në sallë ishin vetëm 64 deputetë, shumë larg kuorumit të nevojshëm prej 80. Në këtë mënyrë, procesi u bllokua jo për mungesë votash, por për mungesë pranie.

Deputetët e Vetëvendosjes shpërndajnë parlamentin me duartrokitje
Deputetët e Vetëvendosjes shpërndajnë parlamentin me duartrokitje

Kryeministri Albin Kurti tentoi të përfshinte opozitën me oferta politike, nga pjesëmarrja në qeveri deri te propozimi i kandidatëve jopartiakë. Por opozita i lexoi këto si tentativa për të siguruar thjesht kuorumin, jo si oferta reale për ndarje pushteti. Kjo përplasje u artikulua qartë nga opozita. Lumir Abdixhiku e përkufizoi krizën si një refuzim për “nënshtrim”, duke deklaruar: “Po shkojmë në zgjedhje sepse pushteti me 51% kërkoi nënshtrim. Ne zgjodhëm Republikën.”

Opozita sipas tij e kishte ofruar kompromisin që në fillim, por ishte injoruar: “Kërkuan emra. Thamë Vjosën. E injoruan.”

Tashmë është e qartë se emri i Vjosa Osmanit ishte ndoshta i vetmi që mund të siguronte një minimum konsensusi politik. Refuzimi për ta konsideruar seriozisht këtë opsion u kthye në një gabim strategjik për shumicën. Sipas Abdixhikut të LDK-së, ky refuzim ishte pjesë e një logjike kontrolli nga Kurti: “Vjosën… e panë vetëm si kuorum, si numër plotësues për Presidenten e tyre.”

Suksesi i opozitës në këtë rast është se u mbyll plotësisht dhe refuzoi çdo pjesëmarrje, pa rënë në ngasjen e ofertave të Albin Kurtit. Në komentin e Partisë Demokratike të Kosovës situata paraqitet si një fitore institucionale: “Institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues u mbrojtën” tha PDK.

Duket se për herë të parë pas një kohe të gjatë, opozita ka një mundësi reale për të ndërtuar një alternativë të bashkuar, me një figurë që nuk perceptohet si thjesht partiake dhe kjo është Vjosa Osmani. Herët në mëngjes ajo doli në një reagim publik nga rrjetet sociale, ndërsa në sfond mbante foton e Ibrahim Rugovës. “Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën” u shpreh Osmani duke shtuar se “rrugët që mbyllen nga padrejtësitë gjithmonë hapen nga populli.”

Osmani foli për një bashkim “për dashni”, kundër përçarjes dhe propagandës. Mbetet për t’u parë se si do të jetë angazhimi i saj në fushatën e ardhshme zgjedhore, nëse do të arrijë ta ndryshojë narrativën e zgjedhjeve dhe më e rëndësishmja: sa do të jetë fuqia e saj elektorale. Një provë se është faktor në nivelet e larta të politikës, tashmë e ka dhënë. Mbetet për t’u parë nëse do të jetë po kaq e fortë në terren dhe nëse do ta sfidojë Albin Kurtin me një opozitë më të organizuar dhe potencialisht më të fortë në zgjedhjet e reja.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top