Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme mbeten të bllokuara. Kjo pasi SHBA-të po e shohin me dyshim propozimin e fundit të Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Irani mban të bllokuar kalimin në ngushticë, ndërsa SHBA-të vazhdojnë presionin ndaj porteve iraniane, duke goditur rëndë trafikun detar dhe tregtinë globale.
Negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit nuk kanë shënuar progres, pavarësisht armëpushimit në fuqi prej javësh. Rihapja e Hormuzit mbetet një element kyç për stabilizimin e situatës, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimit botëror me energji.
Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta. Zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Amir Akraminija, deklaroi se “lufta nuk ka përfunduar”, duke sinjalizuar se një zgjidhje e shpejtë duket ende larg.