Alvarez, çfarë goli: Tirana përmbys Partizanin në derbi dhe është gati e shpëtuar

Tirana ka fituar një nga sfidat derbi më të rëndësishme të sezonit, duke mposhtur 2-1 Partizani në Air Albania, në javën e 33-të të Abissnet Superiore. Një përmbysje që për bardheblutë vlen shumë më tepër se tri pikë: i afron me objektivin e mbijetesës dhe rikthen besimin në një moment kritik. Për Partizanin, në krahun tjetër, kjo humbje komplikon ndjeshëm garën për Europën. Human iluzionoi të kuqtë, por një pjesë e dytë nën ritmet bardheblu Kresic e Alvarez, me një supergol, i dhuruar triumfin në derbi Orges Shehit.

Partizani dominues në lojë e rezultat
Sfida nisi me ritëm dhe tension, si çdo derbi, por ishte Partizani që goditi i pari. Në minutën e 23-të, Human përfitoi nga një moment i mirë në sulm dhe kaloi të kuqtë në avantazh. Pas golit, Partizani administroi mirë lojën, duke mos i lënë shumë hapësira Tiranës dhe duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi 1-0.

Reagimi i Tiranës dhe përmbysja e ndeshjes
Me nisjen e pjesës së dytë, Tirana ndryshoi qasje. Bardheblutë rritën presionin dhe filluan të godasin më shpesh drejt portës së Pano Qirko. Rezistenca e portierit u thye në minutën e 66-të, kur Kresic shënoi me kokë pas një aksioni të ndërtuar mirë, duke rikthyer baraspeshën dhe duke rihapur plotësisht sfidën.

Polemika dhe një gol që vendos derbin
Momenti më i diskutuar erdhi në minutën e 83-të, kur një prekje e dyshimtë me dorë brenda zonës nga një lojtar i Tiranës shkaktoi protesta të forta nga kampi i Partizanit. Gjyqtari Florjan Lata vendosi të vazhdojë lojën, duke mos akorduar penallti. Vetëm dy minuta më pas erdhi edhe goditja vendimtare. Freddy Alvarez realizoi një supergol nga distanca në minutën e 85-të, duke përmbysur rezultatin dhe duke shpërthyer festën bardheblu.

Efektet në renditje
Ky sukses e ngjit Tirana në vendin e 7-të me 35 pikë, duke i dhënë një frymëmarrje të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Ndërkohë, Partizani mbetet në vendin e 5-të me 45 pikë, jashtë zonës Final Four dhe nën presion, në pritje të rezultateve të rivalëve direkt. Një derbi që, përtej rivalitetit, mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në fatet e sezonit për të dyja skuadrat.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top