NBA, fenomeni Wembanyama: “Mbrojtësi i vitit” për herë të parë zgjidhet unanimisht

Victor Wembanyama është mbrojtësi i vitit në NBA për sezonin 2025-26. Ai bëhet më i riu ndonjëherë që fiton këtë çmim, në moshën 22-vjeçare, dhe i pari që merr unanimitetin e votave që kur çmimi jepet, që nga viti i largët 1983. Njëqind gazetarë nga njëqind i dhanë preferencën e parë, duke dalë përpara Chet Holmgren, lojtari i gjatë i Oklahoma City dhe Ausar Thompson, krahu i Detroit Pistons. Qendra franceze, zgjedhja nr. 1 e Draft-it 2023, pra në sezonin e tretë në NBA, bëhet lojtari i parë i San Antonio Spurs që fiton këtë çmim që nga koha kur e arriti Kawhi Leonard për dy vite radhazi, në 2015 dhe 2016.

DEKLARATAT
Ai shijon këtë arritje: “Vështirësia e vërtetë mund të ketë qenë të arrija në 65 ndeshje – i referohet atyre që duhen për të qenë i kualifikueshëm për çmimet individuale sezonale, krahasuar me 82 ndeshjet e sezonit të rregullt për çdo skuadër – jam shumë i lumtur për këtë çmim dhe vërtet krenar që jam fituesi i parë unanim”. Wembanyama ka luajtur 64 ndeshje të sezonit të rregullt, të cilave i shtohet finalja e NBA Cup, e humbur nga Spurs kundër New York Knicks.

SHIFRAT
Wemby e mbylli sezonin me 197 bllokime, më shumë se kushdo tjetër, me 9.5 ribaunde mbrojtëse për ndeshje, i dyti vetëm pas Nikola Jokic, dhe me 66 topa të vjedhur. Spurs kanë luajtur “me portier” poshtë koshit të tyre, duke pasur falë gjigantit 224 centimetra rating-un e dytë më të mirë mbrojtës (110.4) në ligë. San Antonio e mbylli në vendin e tetë nga tridhjetë skuadra të NBA për pikët e pësuara, 111.5 për ndeshje. Këtyre 197 bllokimeve u shtohen të gjitha gjuajtjet që Wemby ka devijuar me praninë e tij, falë asaj kombinimi mes gjatësisë, atletizmit dhe “hapjes së krahëve” prej unikumi në lojë.

VETËM FILLIMI
Nëse gjithçka shkon mirë, nëse francezi me fizikun e veçantë, shumë i gjatë dhe shumë i hollë, arrin të qëndrojë i shëndetshëm – ka luajtur përkatësisht 71, 46 dhe 64 ndeshje në tre sezonet e para në NBA – fitimi i çmimit si mbrojtësi i vitit mund të bëhet një formalitet për të, sezon pas sezoni. Dikembe Mutombo, Ben Wallace dhe së fundmi bashkëkombësi i tij Rudy Gobert janë rekordmenët e kësaj kategorie, me katër çmime secili si mbrojtësi më i mirë i NBA. Wembanyama kishte përfunduar i dyti në vitin e tij debutues pikërisht pas shokut të kombëtares.

Wemby, me 25 pikë, 11.5 ribaunde dhe 3.1 asistime për ndeshje duke gjuajtur me 51% nga fusha, është mes finalistëve për MVP, çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit, së bashku me Jokic, qendrën serbe të Denver Nuggets dhe Shai Gilgeous-Alexander, gardën e Oklahoma City Thunder. Nuk është favoriti, por duke parë përpara duket vetëm çështje kohe që të fitojë edhe këtë çmim, më të lakmuarin. Përvoja dhe disa kilogramë më shumë muskuj (pa ndryshuar atë trup të hollë si levrier) do ta ndihmojnë gjatë rrugës të bëhet edhe më dominues.

Ajo hije e gjatë është që tani një makth për të gjithë kundërshtarët, Spurs janë kandidatë të ligjshëm për titullin kampion 2026 falë sidomos paraqitjeve të tij, por në perspektivë “rrezikon” të shënojë një epokë dhe një dinasti suksesesh në qytetin e Alamo. Në debutimin në playoff, me 35 pikë kundër Portland, për ta duartrokitur nga bordi i fushës ishin David Robinson dhe Tim Duncan, kampionë historikë të Spurs, si ai zgjedhje nr. 1 në Draft. Ata e njohin mirë lojën e lojtarëve të gjatë dhe nuk ndalonin së duartrokituri francezin…

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top