Këngëtari i njohur Joe Jonas duket se po e çon marrëdhënien e tij në një tjetër nivel, duke e bërë publike lidhjen me modelen Tatiana Gabriela.
Artisti ndau së fundmi disa foto në Instagram nga udhëtimi i tij në Porto Riko, vendlindja e partneres së tij. Në një nga imazhet bardh e zi, çifti shfaqet shumë i afërt, duke konfirmuar kështu për herë të parë publikisht romancën.
Kjo është hera e parë që Gabriela shfaqet në profilin e Jonas, megjithëse burime pranë çiftit kanë zbuluar më herët se ata kanë nisur të njihen që në fund të verës së kaluar.
Në një video të publikuar në YouTube nga udhëtimi në San Juan, Joe Jonas shfaqet në momente të shumta pranë partneres, të cilën e thërret me përkëdheli “Tati”. Ai madje tregon se ajo po e ndihmon të mësojë spanjisht.
Çifti nuk i ka kursyer as momentet romantike në publik, duke u parë së bashku në restorante, në vende të rëndësishme për kujtimet e Jonas, si dhe gjatë një vizite në një ujëvarë.
Sipas mediave amerikane, dyshja janë parë shpesh në takime diskrete në Los Anxhelos, ndërsa më pas kanë kaluar kohë së bashku edhe në qytete si Nju Jorku dhe Miami. Modelja gjithashtu ka qenë e pranishme në festivalin Coachella, ku ka mbështetur Jonas gjatë një paraqitjeje surprizë në skenë.
Kjo romancë vjen pas ndarjes së Joe Jonas nga aktorja Sophie Turner, me të cilën ka dy vajza. Çifti finalizoi divorcin në vitin 2024. Burime pranë këngëtarit thonë se, ndonëse ai ka pasur disa njohje pas divorcit, lidhja me Tatiana Gabriela duket ndryshe dhe më serioze.