“Film di Stato”, portreti i Shqipërisë së Enver Hoxhës në kinematë italiane

Media italiane “il manifesto” i ka kushtuar një artikull dokumentarit të prodhuar nga Roland Sejko “Film di stato” (Filmi i shtetit) — prodhuar dhe shpërndarë nga Luce Cinecittà — që nga 14 prilli 2026 është në turne në kinematë italiane. Filmi, 78 minuta, rrëfen katër dekada të diktaturës së Enver Hoxhës përmes materialeve arkivore të vetë regjimit: kinoditarë, filma propagandistikë dhe xhirime private nga arkivi personal i diktatorit, të përdorura edhe falë bashkëpunimit me AQSHF-në.

Para daljes në sallë, filmi ka ndjekur një rrugë të konsoliduar festivalesh: premiera botërore në “Giornate degli Autori” (Ditët e autorit), Festivali i Venecias 2025, përzgjedhje në konkursin kryesor Opus Bonum të Jihlava International Documentary Film Festival — ku ishte i vetmi titull italian — dhe pjesëmarrje në Bif&st Bari 2026. Ka hyrë gjithashtu në pesëshen finaliste të Nastri d’Argento (Shiriti i argjendtë) për dokumentarin.

Pritja kritike ka qenë jo vetëm pozitive, por edhe domethënëse për profilin e filmit. Media prestigjioze si Corriere della Sera i ka kushtuar një analizë të gjerë me firmën e Gian Antonio Stellës, ndërsa Variety — një nga referencat kryesore ndërkombëtare të industrisë kinematografike — e ka trajtuar filmin në një kontekst më të gjerë historik dhe estetik, duke e lidhur me traditën vizuale të propagandës lindore. Edhe gazeta te tjera italiane si Il Foglio, Cineuropa, Cinematografo dhe Quinlan.it kanë vene ne pah se si filmi i Sejkos përmbys funksionin origjinal të imazheve propagandistike, duke i kthyer ato në një lexim kritik të regjimit e duke e vendosur punën e tij prane atyre te regjisoreve si Sergei Loznitsa, Alexander Sokurov dhe Yervant Gianikian.

Turneu italian përfshin disa nga sallat më të rëndësishme të kinemasë së autorit: nga Arlecchino në Milano te Nuovo Aquila në Romë, nga Modernissimo i Bolonjës te La Compagnia në Firence, për të vazhduar në qytete të tjera si Bergamo, Mantova, Pisa, Napoli dhe Torino. Në shumë prej këtyre shfaqjeve, regjisori është i pranishëm me masterclass dhe takime me publikun. Më poshtë është shkrimi i plotë nga ilmanifesto.

Shqipëria e Enver Hoxhës në madhështinë e paradave, reflektim mbi historinë

Nga Silvana Silvestri

NË KINEMA Regjisori Roland Sejko, mes ironisë, patriotizmit dhe dashurisë për popullin e tij në “Film di Stato”

“Film di Stato” është i tillë në mënyrë autentike ai i Roland Sejkos, sepse është prodhuar me pamje zyrtare nga Arkivi i Filmit i Shqipërisë, nga Partia e Punës dhe Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë. Por i tillë është në mënyrën e vet, teksa krijon një ngazëllim, një reflektim spektakolar mbi historinë, mbi pushtetin, mbi diktaturat dhe mbi zgjimin e një vendi të mbajtur peng nga regjimi. Shqipëria është rrëfyer nga Roland Sejko edhe në dokumentarët e tij të mëparshëm të montazhit. (Anija – La nave, fitues i David di Donatello për dokumentarin më të mirë; La macchina delle immagini di Alfredo C., fitues i Nastro d’Argento për docufilm-in më të mirë).

Pavarësisht “elektrifikimit të plotë”, të gjitha ngjarjet që shohim zhvillohen gjatë ditës, si një musical i pandërprerë dhe verbues, me pak ndryshime skenografike, spektakle në nder të presidentëve të huaj, që shfaqen njëri pas tjetrit, për aq kohë sa nuk janë ende të akuzuar për revizionizëm.

NUK KA NEVOJË për fjalë, ndërhyrja e Sejkos shprehet qartë mes ironisë dhe patriotizmit, dashurisë për popullin e tij dhe një portreti të pashlyeshëm të Enver Hoxhës, i ndjekur përgjatë gjithë jetës së tij. Mes shiut dhe lotëve, filmi hapet me ditën e funeralit të tij. Më pas shohim Tiranën e shndërruar në një set të madh, me mijëra figurantë, sigurisht të detyruar të konfirmojnë praninë e tyre në shesh, të duartrokasin dhe të thërrasin slogane, duke nisur nga një “Enver-Tito” që shënon fillimin e një serie aleancash që Shqipëria lidh në panoramën socialiste.

Pason: “Rroftë Stalini i dashur, miku më i dashur i popullit”, me një vizitë në Moskë te Mauzoleumi i Leninit, ku, qartësisht i montuar në mbivendosje me truk, bashkohen fytyrat e Enver Hoxhës dhe Stalinit për të evokuar ikonografinë e konsoliduar të etërve të komunizmit. Më pas Stalini vdes dhe komunikimi drejtuar popullit – për t’u mbajtur mend – është: “luftojmë për paqen në botë kundër luftënxitësve imperialistë amerikanë e anglezë dhe shërbëtorëve të tyre”.

Të bie në sy prania e krerëve të shteteve, të ushqyer mirë, përballë një populli të dobësuar, ushtarëve të vegjël me kominoshe dhe pushkë të vogla, gjimnasteve të holla që dallohen qartë në koreografitë e paradave të ofruara për mysafirët e shquar që pasojnë njëri-tjetrin ndër vite, të duartrokitur nga turma e filmuar gjithmonë si “masë”.

FILLIMISHT përqafime dhe puthje: Hrushovi, pastaj Çu En Lai, njëri pas tjetrit të likuiduar pasi akuzohen për revizionizëm. Ndërsa pamjet rrjedhin, filmi sjell ndërmend edhe atë që kemi njohur nga kinemaja shqiptare që nga vitet ’60 e në vijim, episodet pas çlirimit, partizanët, komeditë rurale, nëndetëset e “Ballë për Ballë” të Pirro Milkanit dhe Kujtim Çashkut (1979), që rikujton ngjarjet e bazës detare të Pashalimanit, të cilën sovjetikët nuk e sulmuan, nga romani i Ismail Kadaresë, obsesioni për sloganet. “Slogans” u titullua më pas filmi i vitit 2002 i Gjergj Xhuvanit, i vendosur në një fshat ku nxënësit e fillores detyroheshin të çonin gurë në kodër për të formuar shkronjat e sloganeve që lartësonin komunizmin shqiptar, në mënyrë që të lexoheshin nga larg.

Por kishte mbërritur tashmë epoka e zbulimit të vendit misterioz përballë, i eksploruar edhe nga Gianni Amelio. Sikur e vetmja industri funksionale në Shqipëri të ishte ky shpërthim i orkestruar i turmës në paradat për nder të udhëheqësit, në kontrast përvijohet vetmia e tij, në gjueti apo në shëtitje në pyje, në heshtjen pas brohorimës së turmave, në vendimet e gjykatave kundër armiqve të klasës, deri te heshtja dhe dobësimi i pleqërisë, si për të thënë se çdo gjë ka një fund./ ilmanifesto.it, përshtati në shqip Lapsi.al

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top