Kim Kardashian do të shënojë një tjetër hap në karrierën e saj, këtë herë në teatër, duke u angazhuar si producente e shfaqjes “The Fear of 13”.
Projekti teatror, ku luajnë aktorët Tessa Thompson dhe Adrien Brody, trajton historinë e vërtetë të Nick Yarris, i cili kaloi mbi 20 vite në “Death Row” për një krim që nuk e kishte kryer.
Në një video të publikuar në Instagram, Kardashian u shpreh se reforma në drejtësinë penale është bërë një mision personal për të prej më shumë se një dekade. Ajo theksoi se ka parë nga afër dështimet e sistemit dhe është e përkushtuar të ndihmojë ata që nuk kanë pasur zë.
“Teatri ka një fuqi të veçantë për të prekur njerëzit. Një histori e tillë, kur përjetohet live, të qëndron gjatë dhe të detyron të shohësh njeriun pas statistikave,” u shpreh ajo, duke shtuar se shpreson që kjo shfaqje të nxisë debat real mbi kuptimin e drejtësisë.
Rasti i Nick Yarris daton në vitin 1982, kur ai u dënua për rrëmbim, përdhunim dhe vrasje. Ai gjithmonë deklaroi pafajësinë dhe kërkoi testim të ADN-së, i cili përfundimisht në vitin 2003 provoi se nuk kishte lidhje me krimin. Megjithatë, ai qëndroi në burg për shkak të një dënimi tjetër, deri sa u lirua përfundimisht një vit më vonë.
Sot, Yarris është aktivist dhe autor, si dhe pjesë e ekipit producent të kësaj shfaqjeje që rrëfen historinë e tij.
Ky projekt shënon debutimin e Kardashian si producente në Broadway dhe përforcon angazhimin e saj në çështjet e drejtësisë. Ajo ka qenë e përfshirë edhe më parë në lirimin e disa personave të dënuar padrejtësisht, përfshirë Alice Marie Johnson.