Aktorja e njohur Blake Lively po planifikon të paraqesë para jurisë një video të vitit 2017, ku Justin Baldoni shfaqet duke vënë në dyshim nëse kishte “ngacmuar” këngëtaren Britney Spears.
Sipas raportimeve, videoja lidhet me një intervistë të aktorit për “Fuse”, ku ai rrëfen një moment të sikletshëm me Spears gjatë xhirimeve të serialit Jane the Virgin, ku këngëtarja pati një rol të shkurtër.
Në intervistë, Baldoni tregonte se kishte qenë fans i madh i Spears gjatë shkollës së mesme dhe se ata kishin komunikuar më parë në rrjetet sociale. Ai kujton se kishte shkuar ta takonte në set, ndonëse nuk kishin skena të përbashkëta.
“Shkova tek ajo dhe në mendjen time ne ishim miq. Por nuk ishim,” tha ai me humor. “E përshëndeta dhe e përqafova fort, por mendoj se e tremba. Pastaj mendova: ‘ Mos sapo ngacmova Britney Spears?’”.
Lively synon ta përdorë këtë video për të krahasuar sjelljen e Baldonit ndaj Spears me pretendimet e saj për sjellje të papërshtatshme gjatë xhirimeve të filmit “It Ends With Us”.
Aktorja ka akuzuar Baldonin për ngacmim seksual, por një gjykatës ka rrëzuar shumicën e pretendimeve të saj. Lewis Liman hodhi poshtë 10 nga 13 akuzat, përfshirë ngacmimin seksual, shpifjen dhe konspiracionin.
Megjithatë, tre çështje mbeten ende në shqyrtim: shkelje kontrate, hakmarrje dhe ndihmë në veprime hakmarrëse. Gjyqi mes palëve pritet të nisë më 18 maj.
Ndërkohë, në listën e pyetjeve për përzgjedhjen e jurisë janë përfshirë edhe emra të tjerë të njohur. Mes tyre figuron edhe këngëtarja Taylor Swift, si dhe bashkëshorti i Lively, Ryan Reynolds.