Dokumentari për kullat e Tiranës, si e zhduku memorien një kryeqytet

Një dokumentar kritik që analizon transformimin urban të Tiranës dhe modelin e zhvillimit që ka dominuar kryeqytetin në dekadën e fundit. “Tirana Vertikale: Arkitektura e Pushtetit” e prodhuar nga Citizens.al zbërthen mënyrën se si planet urbane, vendimmarrja politike dhe interesat ekonomike prodhuan një qytet të orientuar te ndërtimi në lartësi, i cili ka ndryshuar përfundimisht raportin mes hapësirës publike dhe interesit privat.

Përmes analizave të ekspertëve, arkitektëve dhe studiuesve, dokumentari ndalet në shndërrimin e simboleve të Tiranës, si ish-Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” (sot Arena Kombëtare), Piramida, Teatri Kombëtar dhe sheshi “Skënderbej”, për të kuptuar se si arkitektura është përdorur si instrument pushteti dhe transformimi social.

Dokumentari i Citizens.al e rindërton procesin e shndërrimit të këtyre projekteve hap pas hapi, duke treguar se si një kryeqytet mund të humbasë identitetin e vet jo nga rrënimi, por nga “zhvillimi”.

Stadiumi, dikur monument kulture dhe pjesë e një ansambli të mbrojtur, u hoq nga mbrojtja me vendim qeverie për t’i hapur rrugë një projekti ku, siç shprehet arkitektja Doriana Musai në dokumentar, “nuk mund të themi më që ky objekt është publik… është një objekt tërësisht privat”. Teatri Kombëtar që u shemb me forcë në agim, duke shënuar një pikë thyerjeje në marrëdhënien mes qytetit dhe pushtetit, piramida që u “zhvesh nga kuptimi i saj dhe u ripaketua”, duke u kthyer, sipas analizës së arkitektes Musai në një “objekt Frankenstein me të cilin s’dimë çfarë të bëjmë”. Ndërsa Kulla e Sahatit, një nga simbolet më të vjetra të qytetit, sot thotë aktivisti Ervin Goci “mund të jetë një suvenir… por nuk ka më lidhje si simbol i qytetit”.

Dokumentari na orienton për të kuptuar më mirë se si Tirana është futur në një cikël ku historia ose fshihet, ose deformohet duke sjellë si pasojë të pashmangshme, humbjen e identitetit të një qyteti.

Pamjet e kullave të larta në një hapësirë relativisht të vogël në qendër të Tiranës apo pamjet e periferisë shoqërohen me zërat e arkitektes Doriana Musai, aktivistit Ervin Goci dhe antropologut Nebih Bardhoshi, që japin një lexim që shkon përtej estetikës së ndërtimeve. Ata flasin për një qytet që është bërë funksionalisht i huaj për banorët e vet, për një model ku “hapësira është më shumë oligarkike sesa demokratike” dhe ku “e gjithë ekonomia është futur për të furnizuar këtë arkitekturë”.

Rezultati është një qytet ku nuk ndërtohet më për të përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve të tij, por për t’u shfrytëzuar. Një qytet ku, siç përmblidhet në një nga reflektimet e Nebih Bardhoshit, “Tirana nuk është as e turistëve, as e qytetarëve… por e atyre që e kanë ndërtuar, që i kanë vënë çmimet dhe që përfitojnë prej saj”. Kjo zbardhje e plotë e Citizens.al, e mbështetur në dëshmi, analiza dhe dokumentim të detajuar, e bën edhe më të qartë modelin e zhvillimit, që ka prodhuar një qytet pa kujtesë, pa balanca dhe pa orientim publik.

Materiali ia vlen të shihet sepse ofron një kënd tjetër në mënyrën për ta perceptuar shndërrimin e Tiranës, duke bërë diferencën me mediat e tredhura, që shpesh zgjedhin të heshtin, të relativizojnë apo të shërbejnë si dekor për këtë që po ndodh prej më shumë se një dekade. Video më poshtë:

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top