Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim pasditen e së shtunës me socialistët e Lushnjës, në kuadër të turit të tij me Asamblenë e PS. Gjatë fjalës, ai kritikoi opozitën duke e akuzuar se përmes qëndrimeve të saj në Bruksel po përpiqet të dëmtojë rrugën dhe progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Sipas Ramës, një sjellje e tillë nuk është parë te opozitat e vendeve të tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi. Ai shtoi se opozita do të përballet me humbje edhe më të thella në zgjedhjet e ardhshme.
“Nuk ka ndodhur që partitë të nisen pas berihajit dhe të shkojnë në kryeqytetet e Europës dhe të bëjnë copash vendin e tyre. Këtë me keqardhje e them që e bëjnë veç ata, që nuk mund të them që i kemi përballë, se i kemi mbrapa, gjithmonë e më mbrapa. Nuk ndodhin këto gjëra, nuk dalin njerëzit nga vetja të sakatojnë vendin e tyre në gjuhë të huaj.
I gënjen mendja se mund të na mundin neve këtu duke dalë në televizor jashtë shtetit, i gënjen mendja se mund të na mundin neve këtu duke lehur në Bruksel. I gënjen mendja se do të na ulin neve dhe do të lartësojnë veten, sa më shumë ta bëjnë këtë aq më shumë do të zhyten”, tha Rama.