Një gjykatë në Los Anxhelos ka refuzuar kërkesën e Kim Kardashian për të mbajtur të fshehta detajet e një marrëveshjeje prej 6 milionë dollarësh me Ray J.
Marrëveshja lidhet me përplasjet ligjore mes dy palëve, të cilat nisën pasi Kardashian, në një episod të reality show-t The Kardashians në vitin 2022, e akuzoi këngëtarin se kishte tentuar ta shantazhonte me një video të dytë intime dhe se e kishte abuzuar seksualisht ndërsa ajo ishte në gjumë. Në përgjigje, Ray J kërcënoi me padi, çka çoi më pas në arritjen e marrëveshjes mes tyre.
Konflikti u rindez vitin e kaluar, kur Ray J – emri i vërtetë i të cilit është Ray Norwood Jr. – deklaroi në një video live se Kardashian dhe nëna e saj mund të ishin pjesë e një “ndërmarrjeje kriminale” dhe se mund të përballeshin me akuza federale. Ai madje u dëgjua duke thënë në një dokumentar të lidhur me Sean “Diddy” Combs se nuk do të habitej nëse familja Kardashian do të akuzohej për aktivitete kriminale.
Pas këtyre deklaratave, Kardashian ngriti padi për shpifje, duke e akuzuar Ray J se po përpiqej të përfitonte nga fama e saj. Nga ana tjetër, këngëtari paraqiti një kundërpadi, duke pretenduar se ajo kishte shkelur kushtet e marrëveshjes së vitit 2023, e cila ndalonte të dyja palët të flisnin publikisht për videon intime.
Kardashian kërkoi që dokumentet gjyqësore të paraqitura nga Ray J të mbaheshin konfidenciale, duke argumentuar se përmbanin informacion shumë privat. Megjithatë, më 30 mars, gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Los Anxhelosit, Steven Ellis, vendosi kundër saj.
Sipas vendimit, e drejta e publikut për transparencë ka më shumë peshë sesa pretendimet për privatësi në këtë rast. Gjykatësi theksoi se Kardashian nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme se publikimi i marrëveshjes do t’i shkaktonte dëm.