Për të tretën herë, qeveria po jep një afat të ri për hapjen e segmentit të parë të autostradës Tiranë-Durrës deri te mbikalimi i Rinasit. Fillimisht, ish-ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku premtoi se punimet do të mbylleshin në dhjetor. Më pas afati u shty në janar. Tani, qeveria thotë se segmenti do të hapet brenda javës së parë të majit. Pas dy premtimeve të pambajtura, mbetet për t’u parë nëse këtë herë afati do të respektohet apo do të ketë sërish një shtyrje tjetër.
Gjatë një inspektimi në terren këtë të enjte, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se punimet në këtë lot janë në fazën përfundimtare dhe se brenda javës së parë të muajit maj segmenti do të hapet plotësisht.
“Brenda javës së parë të muajit maj ky lot i këtij segmenti do të hapet plotësisht. Ky aks ka rëndësinë e tij për lidhjen e portit të Durrësit me Morinën dhe për lidhjen mes Veriut me hyrjen në Tiranë por edhe sa i takon turizmit. Duhet të theksojmë që në këtë segment po punojmë me disa projekte të tjera si Bypassi i Tiranës dhe segmenti Kashar-Lekaj”, tha Karakaçi.
Segmenti ka rëndësi të veçantë për trafikun hyrës dhe dalës nga Tirana, për lidhjen me portin e Durrësit dhe për qarkullimin në drejtim të veriut të vendit. Por për qytetarët, përtej deklaratave dhe inspektimeve, ajo që mbetet thelbësore është nëse këtë herë qeveria do ta çojë deri në fund afatin që vetë ka shpallur.