Në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit 1998, në Prekaz u sulmua familja e Adem Jasharit nga ushtria dhe forcat policore serbe. Ky ishte sulmi i tretë ndaj kullës së Jasharëve pasi kishin dështuar 2 të tjerë më herët. Këtë herë sulmi kishte si synim të zhdukte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ndaj ai u përqendrua në Prekaz, në zemrën dhe bazën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.
Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria dhe nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar me 100 policë serbë. Sulmi zgjati 3 ditë dhe 2 net.
Forcat serbe e filluan sulmin pa asnjë paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat e automatikëve dhe mitralozëve. Nga një shtëpi, policia serbe qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotësjellës. Shumica e familjes së gjerë të Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve. Granatimet e vazhdueshme për 52 orë i mundësuan policisë që më në fund të hyjë në shtëpi.
Një breshëri e zgjatur arme qëlloi për vdekje Adem Jasharin, teksa ai ishte në oborrin e kullës. I vetmi dëshmitar që e ka rrëfyer këtë moment është Besarta Jashari, personi i vetëm që mbeti gjallë nga ajo masakër:
“Ademi lëvizte prej pozitës që kishte te një mur në oborr dhe vinte kah vendi ku ishim ne të strehuar. Pas vrasjes së shumicës së anëtarëve të familjes, vritet edhe Besimi. Afër derës së bodrumit ku ishim strehuar bie edhe Ademi, në përpjekje për të na mbrojtur. Të gjallë ishim vetëm unë dhe Kushtrimi. E kam pa Ademin kur e ka marrë plumbi. Ka rënë te shtylla afër shkallëve të shtëpisë, aty u vra” – ka thënë ajo.
Kur u bindën se familja Jashari ishte shuar e gjitha drejtuesit e operacionit u afruan te kulla dhe nisën të kontrollojnë gjithçka. Kontrolluan të gjitha kufomat të shpërndara sa andej këndej, por syri u kapi një vajzë të vogël që ende ishte e gjallë. E plagosur dhe e shtrirë brenda kullës ushtarët serbë, jo vetëm që nuk i dhanë ndihmë, por e morën dhe e nxorën në oborr. E afruan te kufoma e Adem Jasharit dhe e pyetën nëse ishte ai apo jo. Përgjigjja e Besartës është epike: “Ky nuk është bali Adem, është një djalë prej Llaushe, Abdullah, i thonë. Ademi e Hamza nuk janë këtu…”.
Besarta e ka përshkruar me detaje momentin e fundit të luftës.
“Pas rënies së tij, djali i tij Kushtrimi (atëherë 13-vjeçar), e mori automatikun dhe u nis në drejtim të një pozicioni tjetër në oborr, sepse policët serbë veç ishin futur nëpër disa depo që kishim. Në ballafaqim me ta Kushtrimi ka rënë midis dy shtëpive me automatik në dorë.
Kur nuk mbeti më asnjë i gjallë, vetë fillova të shkoj te trupat e secilit duke i prekur dhe duke thirrur me zë mos kishte mbetur dikush i gjallë. I thirrja në emër, por s’përgjigjej askush. Krejt kjo po zhvillohej kah fundi i luftës, në ditën e tretë të sulmit, paradite” – ka rrëfyer Besarta.
Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë familjes. Adem Jashari së bashku me 56 anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsej 58 persona janë vrarë, në mesin e tyre 18 ishin gra dhe 10 fëmijë nën moshën 16 vjeçare. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm vajza e vogël e familjes, Besarta Jashari, e cila asokohe ishte vetëm 11 vjeçare. Nga ana tjetër televizioni serb “B-92” lajmëroi për 62 policë serbë të vrarë në Prekaz.
Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bë simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë. Kështu shumë prej tyre veshën bluza me fotografinë e tij pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj të dielën, më 17 shkurt të vitit 2008. Mbishkrimi në bluzat ishte ″Bac u kry”, duke iu referuar shprehjes së përdorur gjatë homazheve në varrin e tij me rastin e shpalljes së pavarësisë, si realizim i qëllimit sublim të të gjithë jetës dhe veprimtarisë së Adem Jasharit.