Një tjetër skemë mashtrimi përmes telefonit po qarkullon në vend. Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për mesazhe SMS që u dërgohen qytetarëve në emër të platformës e-Albania, duke i njoftuar në mënyrë të rreme për pagesa të pretenduara të gjobave të automjeteve.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo skemë është e ngjashme me rastin e mëparshëm në emër të Postës Shqiptare, për të cilin është bërë edhe kallëzim pranë strukturave për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Autoritetet bëjnë me dije se mesazhet përmbajnë linqe të falsifikuara, të cilat synojnë të mashtrojnë qytetarët dhe të përvetësojnë të dhënat e tyre personale dhe bankare.
Në këtë kuadër, Policia apelon që qytetarët ë mos klikojnë në linqe të dërguara përmes SMS-ve nga numra të panjohur, të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të pakonfirmuara dhe të mos veprojnë nën presionin e mesazheve që krijojnë urgjencë.

