Kombëtarja e Montserrat, një ishull në Karaibe me pak më shumë se 4300 banorë, është në kërkim të një trajneri të ri… dhe po e bën këtë në një mënyrë vërtet të pazakontë. Federata lokale ka publikuar një njoftim drejtpërdrejt në rrjetet sociale, duke hapur zyrtarisht aplikimet përmes Facebook-ut për të drejtuar ekipin kombëtar.
Një nismë jashtë skemave të futbollit ndërkombëtar, që synon të zgjerojë bazën e kandidatëve në nivel global. Oferta, e shpërndarë nga Federata e Futbollit të Montserrat, parashikon dërgimin e aplikimeve me email deri më 17 prill, me kërkesa mjaft të qarta: licencë teknike të njohur (UEFA, CONMEBOL ose CONCACAF, të paktën niveli B) dhe një eksperiencë nga tre deri në pesë vite.
Megjithatë, roli shkon shumë përtej drejtimit të skuadrës së parë. Trajneri i ardhshëm do të duhet të ndërtojë dhe mbikëqyrë të gjithë projektin teknik kombëtar: nga përcaktimi i një filozofie loje deri te zhvillimi i sektorëve të moshave dhe futbollit të femrave. Mes detyrave janë edhe formimi i trajnerëve lokalë, organizimi i programeve në shkolla dhe koordinimi me organizma ndërkombëtarë si FIFA dhe CONCACAF.
Montserrat, kërkohet trajner në Facebook
Nuk do të mungojnë as përgjegjësitë operative për trajnerin e ri, si skautimi i talenteve, krijimi i databazave të lojtarëve dhe menaxhimi direkt i kombëtares në kompeticionet zyrtare.
Ky kërkim vjen në një moment delikat për federatën, aktualisht e drejtuar nga një komitet normalizimi i emëruar nga FIFA pas një periudhe krize të brendshme. Objektivi është i qartë: të ringrihet futbolli në ishull me një strukturë më solide dhe një vizion afatgjatë, duke u fokusuar te zhvillimi dhe qëndrueshmëria.