Vizionar, dinak, revolucionar, Mircea Lucescu ka qenë Nikola Tesla i futbollit. Ai ka fituar 36 trofe duke udhëhequr 8 ekipe, përfshirë edhe UEFA-n me Shakhtar, ka nxjerrë qindra futbollistë të nivelit të lartë dhe ka shpikur analizën e ndeshjeve. Mircea Lucescu fatkeqësisht nuk ia doli. Trajneri rumun ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare pas problemeve të rënda në zemër që kishte shfaqur ditët e fundit.
Ai kishte pësuar një shqetësim shëndetësor menjëherë pas play-off-it të Botërorit të zhvilluar në krye të kombëtares së vendit të tij kundër Turqisë. Gjendja e tij fatkeqësisht u përkeqësua ndjeshëm në ditën e Pashkëve, deri në ndarjen nga jeta, teksa ndodhej në repartin e terapisë intensive në Spitalin Universitar të Bukureshtit.
Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të Mircea Lucescu
Prej disa orësh kishte shqetësim të madh për situatën shumë delikate të Lucescut, pasi mjekët kishin vendosur ta fusnin në koma farmakologjike. Mbrëmjen e së shtunës, Federata Rumune e Futbollit kishte publikuar disa informacione për gjendjen e tij, që vinin pikërisht nga spitali ku ai ishte shtruar. Një seri aritmish të rëndësishme kardiake kishin komplikuar kuadrin klinik të Lucescut, i cili “nuk po i përgjigjej më trajtimit”. Në fakt, gjatë natës së Pashkëve, aritmitë u përkeqësuan, duke sjellë transferimin e trajnerit nga reparti i kardiologjisë në atë të Anestezisë dhe Terapi Intensive.
Lucescu, çfarë ndodhi pas playoff-it të Botërorit
Që nga ai moment nuk pati më asnjë përditësim zyrtar, deri te zërat e fundit që vinin nga Rumania dhe që konfirmuan lajmin më të keq. Dhe të mendosh se vetëm dy javë më parë, Lucescu ishte në pankinën e kombëtares së vendit të tij, i angazhuar në gjysmëfinalen e play-off-it të Botërorit kundër Turqisë. Gjërat nuk kishin shkuar aspak mirë, me trajnerin me përvojë që kishte pësuar një shqetësim shëndetësor gjatë stërvitjes. Pas ndërhyrjes kirurgjikale me përdorimin e defibrilatorit kardiak, erdhën problemet e reja dhe infarkti i miokardit. Që nga ai moment, situata mori një rrjedhë gjithnjë e më të keqe.