Qindra fermerë janë mbledhur sot në protestë para ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pas heqjes së skemës së naftës.
Një nga kërkesat kryesore të fermerëve ishte rikthimi i skemës së naftës, një masë penalizuese e ndërmarrë nga qeveria sipas tyre në kulmin e rritjes së çmimeve të karburanteve.
Ata kërkuan subvencionim të naftës pa taksë me 110 lekë.
“Nuk mund të blejmë naftën në një vend ku blihet për makinat me çmim 230 lekë për litër. Nëse shpërndarja e naftës në të kaluarën ka pasur probleme, shteti duhet ta kontrollojë skemën me qëllim që të përfitohet në mënyrë të drejtë. Për të mbajtur 1 lopë na nevojitet 8 ha dynim tokë. Me çfarë do ta punojmë ne tokën, kur çmimi i naftës është mbi 200 lekë”, pohoi Xhevdet Ura, një fermer nga Kavaja për Monitor.
Kërkesë tjetër e tyre ishte dhe rritja e subvencionit për lopët, duke e rritur me 3 mijë lekë nga 12 mijë lekë që u vendos në skemën kombëtare, por pa tavan për krerë lopë.
Ata ngritën shqetësimin e prodhimit nën kosto të qumështit se masat që ka miratuar qeveria nuk ndihmojnë blegtorët.
“Ne po shesim qumështit në baxho me 50 lekë për litër, që është një çmim nën kosto. Edhe 80 lekë për litër sikur qumështi të shitej nuk arrin të justifikojë shpenzimet për mbajtjen e lopëve.
Ndërsa qumështi i fresket nga importi vjen me 52 lekë për litër. Sepse rajoni ka subvencione”, pohoi një tjetër fermer.
Para ndryshimeve të Skemës Kombëtare, Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbështetje 20 mijë lekë për lopë pa tavan. Pra pavarësisht totalit të krerëve që disponon, një fermer të përfitonte 20 mijë lekë pagesa për krerë. Mësohet se gjatë takimeve mes palëve u arrit dakortësia për vendosjen e një pagesë direkte prej 15 mijë lekë për lopë pa tavan. Por kjo nuk u reflektua në vendim.
Fermerët paralajmëruan përshkallëzim të protestave në rrethe dhe daljen e tyre me kafshë dhe traktorë para ministrisë në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre./ Monitor.al