Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar shpëtimin e një oficeri të sistemeve të armëve, i cili ishte shpallur i zhdukur pas rrëzimit të një avioni luftarak F-15E Strike Eagle mbi territorin e Iranit.
Trump njoftoi se oficeri është gjetur dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, pas një operacioni që ai e cilësoi si ndër më të guximshmit në historinë ushtarake amerikane.
“Gjatë orëve të fundit, Forcat e Armatosura të SHBA realizuan një nga operacionet më të guximshme të kërkim-shpëtimit për një nga oficerët tanë të shkëlqyer, një kolonel shumë i respektuar. Me kënaqësi ju informoj se ai është i sigurt dhe në gjendje të mirë”, shkroi Trump.
Sipas tij, oficeri ndodhej në thellësi të territorit armik, në zona malore të rrezikshme në Iran, ndërsa ishte në ndjekje nga forcat kundërshtare. Operacioni i shpëtimit u organizua dhe u monitorua në kohë reale nga drejtuesit më të lartë ushtarakë amerikanë.
Presidenti bëri të ditur se, me urdhër të tij, në operacion u angazhuan dhjetëra avionë të pajisur me armatimin më të avancuar, për të siguruar rikthimin e oficerit. Ai shtoi se, megjithëse i plagosur, ushtaraku pritet të rikuperohet plotësisht.